BE propozon kufirin e çmimit të gazit në 275 euro për MWh
2022-11-24 14:18:07

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Bashkimi Europian ka propozuar një kufi të çmimit evropian të gazit në 275 euro (283 dollarë amerikanë) për megavat orë (MWh), njoftoi eurokomisionerja për Energjinë, Kadri Simson, të martën në Strasburg, Francë.

Mekanizmi i korrigjimit të tregut do të aktivizohet kur të plotësohen dy kushte, shpjegoi eurokomisionerja. Së pari, kur çmimi i gazit kalon 275 euro për dy javë rresht. Së dyti, kur diferenca ndërmjet çmimit TTF dhe çmimit global të gazit natyror të lëngshëm (LNG) është 58 euro ose më shumë për dhjetë ditë tregtimi radhazi.

Kur të dyja këto kushte janë në fuqi, mekanizmi do të aktivizohet automatikisht dhe nuk do të kërkojë ndonjë procedurë apo vendim shtesë.

Simson tha në një konferencë për shtyp se kjo nuk është një ndërhyrje rregullatore për të vendosur çmimin në tregun e gazit në një nivel artificialisht të ulët; përkundrazi, është një zgjidhje e fundit për të parandaluar episodet e çmimeve tepër të larta, të cilat nuk janë në përputhje me tendencat globale të çmimeve, citon “Xinhua”.

“Kjo masë ofron një mjet të fuqishëm që mund ta përdorim kur kemi nevojë, duke plotësuar përpjekjet tona më strukturore për të ulur çmimet, domethënë duke kontrolluar kërkesën tonë dhe duke siguruar furnizim të mjaftueshëm me gaz për Europën përmes blerjes së përbashkët dhe politikës së jashtme aktive të energjisë”,- tha ajo.

Propozimet do të debatohen nga ministrat e Energjisë nga 27 vendet anëtare të bllokut. Megjithatë, Shoqata e Shkëmbimeve Europiane të Energjisë njoftoi se mekanizmi përbën një kërcënim serioz për sigurinë e furnizimit dhe stabilitetin financiar të rajonit dhe do të bëjë pak për të arritur qëllimin e uljes së kostove të energjisë. (Elona)