Bashkëpunimi i Kinës me vendet e Azi – Paqësorit
2022-11-24 21:24:54

 

Bashkëpunimi Ekonomik Azi – Pacifik (APEC) u frymëzua fillimisht nga konferencat e ministrave të ekonomive të zhvilluar dhe atyre në zhvillim të ASEAN-it, në mesin e viteve 1980. Në vitin 1989, dymbëdhjetë ekonomi të Azi  - Paqësorit u takuan në Canberra, Australi, për të krijuar APEC me qëllim promovimin e integrimit ekonomik. Aktualisht ky bashkëpunim ekonomik përfshin 21 vende dhe ekonomitë e këtyre vendeve përbëjnë 38% të popullsisë,  62% të prodhimit të brendshëm bruto dhe 48% të tregtisë globale.

Foto:VCG

Kryeministri tajlandez Prayuth Chan-ocha në konferenën e shtypit për takimin e APEK-ut(Foto:VCG)

Takimi i 29-të i Liderëve Ekonomikë të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) është mbajtur në Bangkok, Tajlandë, më 18-19 Nëntor. Të pranishëm si drejtues të lartë kanë qenë presidenti kinez Xi Jinping, nën presidentja e SHBA Kamala Harris dhe kryeministri japonez Fumio Kishida. Diskutimet e ministrave të APEC u përqendruan rreth temës së këtij viti "Hapje, Bashkëpunim dhe Balancim”. Përfaqësuesit e këtyre vendeve kanë shkëmbyer mendime se si mund të arrihet të mbahet një nivel i lartë i shkëmbimeve tregtare dhe të investimeve të qëndrueshme, në një situatë të ndërprerjeve të reja ekonomike për shkak të tensioneve gjeopolitike.
Takimi u fokusua në diskutimet mbi tregtinë dhe investimet e qëndrueshme. Presidenti Xi, ka vënë në dukje se : “tregtia dhe investimet e lira dhe të hapura janë ndër qëllimet dhe parimet e APEC dhe një shtyllë e rëndësishme në realizimin e Vizionit Putrajaya 2040”. Vizioni Putrajaya 2040 nënkupton një komunitet të hapur, dinamik dhe paqësor të vendeve të Azi-Paqësorit deri në vitin 2040, për të arritur prosperitetin e gjithë popujve dhe brezave të ardhshëm”. Për të arritur vizionin, vendet e APEC kanë përcaktuar tre shtytës ekonomikë, përkatësisht tregtinë dhe investimet, inovacionin dhe digjitalizimin, si dhe rritje të fortë, të balancuar, të sigurt, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Në tregti dhe investime synohet të sigurohet që Azia-Paqësori të mbetet ekonomia rajonale më dinamike, e ndërlidhur në nivel global, dhe në ofrimin e një sistemi tregtar shumëpalësh që funksionon dhe promovon stabilitetin dhe parashikueshmërinë e flukseve tregtare ndërkombëtare. Vendet do të avancojnë me integrimin e tyre ekonomik, duke përfshirë dhe realizimin e projektit të Zonës së Tregtisë së Lirë të vendeve Azi-Paqësorit (FTAAP). Kjo marrëveshje do të kontribuojë qendër marrjet e këtyre vendeve të kenë standarde të larta dhe gjithëpërfshirëse. Në inovacionin dhe digjitalizimin, qëllimi është fuqizimi i komuniteteve të vendeve të APEC që të marrin pjesë dhe të zhvillohen në një ekonomi globale të ndërlidhur, duke mbështetur inovacionin digjital. Vendet do të kërkojnë të ndjekim reforma strukturore për të promovuar inovacionin, për të forcuar infrastrukturën digjitale, për të përshpejtuar transformimin digjital dhe për të ngushtuar diferencat në zhvillimin  digjital. Rritja e lartë ekonomike, e ekuilibruar, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse është e nevojshme për të siguruar që rajoni i Azi-Paqësorit të jetë më elastik ndaj goditjeve, krizave, pandemive dhe emergjencave të tjera. Kjo do të kërkojë nxitjen më tej tënjë rritjeje ekonomike më cilësore që do të duhet të sjellë përfitime të dukshme, të shëndetshme dhe mirëqenie më të madhe për të gjithë.

Presidenti kinez Xi Jinping me kryeministrin tajlandez Prayuth Chan-ocha (Foto:Xinhua)

Presidenti kinez Xi Jinping me kryeministrin tajlandez Prayuth Chan-ocha (Foto:Xinhua)


Presidenti Xi ka theksuar rëndësinë së pari të përkrahjes së multilateralizmit të vërtetë dhe mbrojtjes së sistemit tregtar shumëpalësh. Për këtë duhet bërë më shumë për të mbrojtur sistemin e tregtisë shumëpalëshe të bazuar në rregulla, për të mbajtur zinxhirët globalë industrialë dhe të furnizimit të sigurt dhe të qëndrueshëm dhe të përpjekjeve për realizimin e hershëm të projektit një Zonë të Tregtisë së Lirë gjithëpërfshirëse, të vendeve të Azi-Paqësorit.
Së dyti, është e rëndësishme në zhvillimin gjithëpërfshirës nevoja për të ndërtuar një arkitekturë rajonale të bashkëpunimit ekonomik mbi bazën e konsultimeve, pjesëmarrje dhe përfitimeve të përbashkëta, për të nxitur një treg me të madh të vendeve të Azi-Paqësorit. Ky bashkëpunim do të sjellë përfitime për të gjithë, në mënyrë që të gjitha ekonomitë të rriten së bashku dhe të arrijnë të fitojnë përmes komplementaritetit. Kina ka paraqitur iniciativa për rigjallërimin e zonave rurale, mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme - SME-të që përdorin teknologji të veçanta dhe të sofistikuara për të prodhuar produkte të reja dhe unike, dhe avancuar përfshirjen ekonomike përmes tregtisë dhe investimeve.
Së treti, mbështetja e bashkëpunimit të hapur rajonal për prosperitetin e vendeve të Azi-Paqësorit. Për këtë do të jetë e rëndësishme të ndërmerren iniciativa më të mëdha për hapjen dhe ngritjen e nivelit të bashkëpunimit ekonomik rajonal në të gjitha aspektet. Kina do të angazhohet për hapjen e saj ekonomike dhe tregtare me vendet e rajonit dhe më gjerë bazuar në standarde të larta. Ekspozita e pestë ndërkombëtare e importit e Kinës, e mbajtur kohët e fundit, është një tjetër demonstrim i vendosmërisë së Kinës për të mbështetur tregtinë e lirë dhe të hapur ekonominë e saj në tregun global. Kina do të bëjë më shumë për të importuar mallra dhe shërbime cilësore, për zgjerimin e tregut dhe rritjen bashkëpunimit në nivel global.
Ministrat e vendeve të APEC kanë reflektuar mbi mësimet afatgjata nga COVID-19 dhe kanë diskutuar mbi mënyrat për të përmirësuar koordinimin e politikave shëndetësore për të siguruar që lëvizja dhe shkëmbimet ndërkufitare të njerëzve në rajon të jenë më elastike dhe të preken sa më pak ndaj pandemive të ardhshme. Teknologjia digjitale është theksuar si një mjet efektiv për të përmirësuar lidhjen e sigurt dhe pa probleme. Përfaqësuesit e vendeve të APEC shkëmbyen pikëpamjet mbi rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë dhe një strategji më të qëndrueshme afatgjatë për të gjitha vendet ndaj rrezikut të inflacionit në rritje, të pasigurisë ushqimore dhe energjetike dhe një recesioni ekonomik global të afërt.

Foto:VCG

Foto:VCG


Modeli ekonomik Bio Circular Green – BCG, është konsideruar si një mënyrë efikase për të ndihmuar dhe përgatitur vendet e APEC-in që të arrihen këto synime në situatat e  ndërprerjeve të ardhshme. Udhëheqësit ekonomikë dhe përfaqësuesit e tyre u pajtuan se modeli ekonomik BCG mund t'i ndihmojë ekonomitë të arrijnë një rikuperim ekonomik të qëndrueshëm, të ekuilibruar dhe gjithëpërfshirës nga efektet e COVID-19 dhe të ndërtojnë një model më elastik ndaj goditjeve të ardhshme. Ministrat diskutuan se si ekonomitë mund të përdorin modelin e ri të ekonomisë për të përshpejtuar tranzicionin e tyre drejt një rimëkëmbjeje ekonomike të qëndrueshme dhe të sigurohet një rritje ekonomike afatgjatë gjithëpërfshirëse. Ata theksuan gjithashtu nevojën e angazhimit të të gjithë shoqërisë si dhe partneritetit ndërmjet sektorit publik, të atij privat dhe njerëzve.
Modeli ekonomik Bio-Circular-Green ose BCG është prezantuar nga një grup kërkuesish dhe është promovuar nga qeveria tajlandeze si një model i ri ekonomik për te siguruar një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Modeli BCG kapitalizon pikat e forta të vendit me diversitetin biologjik dhe pasurinë kulturore dhe përdor teknologjinë dhe inovacionin për të transformuar ekonominë e një vendi të bazuar në vlera dhe të drejtuar nga inovacioni. Modeli gjithashtu përputhet me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të OKB-së – SDG, si dhe synohet gjithashtu të përafrohet me filozofinë e ekonomisë së mjaftueshmërisë (SEP), e cila është parimi kryesor i zhvillimit social dhe ekonomik të Tajlandës[1].
Udhëheqësit ekonomikë të APEC miratuan me konsensus, dy dokumente të rëndësishme, atë të deklaratës së liderëve të vendeve të APEC-it,  si dhe objektivat për të avancuar më tej zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve, duke pasur si udhërrëfyes modelin ekonomik BCG.

Prof. Dr. Petraq Milo


[1] Modeli BCG bazohet në pikat e forta të Tajlandës, të një vendi me një zhvillim të lartë të bujqësisë, të burimeve të pasura natyrore, si dhe diversitetin për sa i përket burimeve biologjike dhe gjeografike fizike. Modeli BCG fokusohet në promovimin e katër industrive : (i) të bujqësisë dhe ushqimit; (ii) të mjekësisë dhe mirëqenies; (iii) të bioenergjisë, të biomaterialeve dhe të biokimisë, si dhe (iv) të turizmit dhe ekonomisë krijuese. Shkenca, teknologjia dhe inovacioni do të synojnë të rrisin kapacitetin dhe konkurrencën në zinxhirin e vlerës në të katër industritë duke u mbështetur në politikat inovatore, si dhe në masat ligjore dhe financiare të nevojshme.