Wang Yi: Udhëtimi jashtë vendit i Xi Jinping-ut tregon angazhimin e Kinës ndaj rritjes dhe qeverisjes globale
2022-11-21 11:36:51

Foto: VCG

Pjesëmarrja e presidentit kinez Xi Jinping në Samitin e 17-të të Grupit të 20-s (G20) dhe Mbledhjen e 29-të të Udhëheqësve Ekonomikë të Bashkëpunimit të Azi-Paqësorit (APEC), si edhe vizita e tij në Tajlandë, kanë dërguar një sinjal të fortë se Kina do të vazhdojë të nxisë paqen e zhvillimin botëror dhe do të thellojë hapjen e bashkëpunimin, tha të shtunën për medien këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi.

Sipas tij, është e njohur gjerësisht se përballë një situate ndërkombëtare komplekse, duke nxitur zhvillimin global dhe duke udhëhequr qeverisjen globale, Kina ka treguar rolin e saj si një vend i madh i përgjegjshëm.

Gjatë udhëtimit të tij gjashtëditor Xi mori pjesë në më shumë se 30 veprimtari, duke nxitur zhvillimin global e duke udhëhequr qeverisjen globale, si edhe duke treguar rolin e Kinës si një vend i madh i arsyeshëm, me besim dhe i përgjegjshëm, theksoi Wang.

Gjatë fjalimeve në mbledhjet shumëpalëshe dhe bisedimeve me udhëheqësit e vendeve të ndryshme, Xi foli mbi përfundimet e Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës, modernizimin kinez, bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella ndërmjet Kinës e pjesës tjetër të botës dhe perspektivat e zhvillimit me cilësi të lartë dhe të hapjes me standard të lartë të Kinës, duke dërguar një sinjal të fortë se Pekini do të promovojë gjithmonë paqen e zhvillimin botëror dhe do të thellojë hapjen e bashkëpunimin me vende të tjera, tha Wang.

Kryediplomati u shpreh më tej se në Samitin e G20-s, Xi u bëri thirrje të gjithë vendeve të ndjekin vizionin e ndërtimit të një bashkësie me një të ardhme të përbashkët të njerëzimit dhe të mbrojnë paqen, zhvillimin e bashkëpunimin për përfitime të ndërsjella, duke zëvendësuar ndarjen me unitetin, kundërvënien me bashkëpunimin e përjashtimin me përfshirjen, duke e bërë zhvillimin botëror më përfshirës, më të dobishëm dhe më të qëndrueshëm.

Xi vuri në dukje se modernizimi nuk është privilegj i ndonjë vendi të vetëm dhe se ata që janë në pararojë të zhvillimit duhet të ndihmojnë të tjerët të zhvillohen, tha Wang.

Presidenti kinez propozoi ndërtimin e një partneriteti global për rimëkëmbjen ekonomike dhe Nismën e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Sigurinë Ushqimore Globale, si edhe mbështeti pjesëmarrjen e Bashkimit Afrikan në G20. Sipas Wang, kjo tregon se Xi kujdeset për vendet në zhvillim dhe mbetet I përkushtuar ndaj vizionit që "zhvillimi është i vërtetë vetëm kur të gjitha vendet zhvillohen së bashku".

Lidhur me bashkëpunimin e Azi-Paqësorit, kreu i diplomacisë kineze vuri në dukje se APEC-u është platforma më e rëndësishme për bashkëpunimin ekonomik në këtë rajon.

Sipas tij, Xi përmblodhi me urtësi përvojën e suksesshme të bashkëpunimit ekonomik në Azi-Paqësor, duke theksuar se Azi-Paqësori nuk është oborri i askujt dhe nuk duhet të bëhet një arenë e konkurrencës ndërmjet fuqive të mëdha. Presidenti kinez tha se përpjekjet për një Luftë të Ftohtë të re nuk do të lejohen kurrë nga popujt apo nga koha.

Xi bëri thirrje për ndërtimin e një bashkësie me një të ardhme të përbashkët të Azi-Paqësorit që është paqësore, e qëndrueshme, e pastër dhe e bukur, dhe një rajon ku të gjithë janë të gatshëm të ndihmojnë njëri-tjetrin, me begati për të gjithë.

Presidenti kinez paraqiti një propozim prej gjashtë pikash për të nxitur bashkëpunimin në Azi-Paqësor përpara zhvillimeve të reja: forcimin e themeleve për zhvillimin paqësor, vënien e njerëzve në qendër të zhvillimit, krijimin e një hapjeje të nivelit më të lartë, përpjekjet për ndërlidhje të nivelit më të lartë, ndërtimin e zinxhirëve të qëndrueshëm dhe të papenguar të industrisë e të furnizimit dhe nxitjen e përmirësimit industrial.

Xi Jinping-u bëri të ditur gjithashtu se Kina po shqyrton mundësinë e mbajtjes së Forumit të 3-të për Bashkëpunimin Ndërkombëtar “Një brez, një rrugë” vitin e ardhshëm, për t’i dhënë nxitje të re zhvillimit dhe përparimit të Azi-Paqësorit dhe të botës.

Për sa u përket marrëdhënie kino-amerikane, ministri i Jashtëm kinez tha se Xi Jinping-u zhvilloi një takim ballë për ballë me presidentin e ShBA-së Joe Biden në Bali të Indonezisë, gjatë të cilit të dy udhëheqësit patën një shkëmbim të sinqertë e të thellë pikëpamjesh mbi çështje të rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe dhe paqen e zhvillimin botëror

Wang shtoi se takimi i parë ballë për ballë i dy krerëve të shtetit në tre vjetët e fundit ishte konstruktiv dhe strategjik.

Ai bëri të ditur që Xi theksoi se marrëdhëniet kino-amerikane duhet të shihen dhe të trajtohen nga perspektiva e kapjes së prirjes së përgjithshme të botës dhe braktisjes së mendësisë "ti humb, unë fitoj" e "ti ngrihesh, unë bie", duke zhvilluar dialog në vend të kundërvënies e duke synuar përfitimet e përbashkëta.

Të dy palët duhet të respektojnë parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, për të siguruar së bashku që marrëdhëniet dypalëshe të ecin në rrugën e duhur, shtoi ai.