Shqipëria zyrtarisht anëtare e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së
2022-11-20 16:24:02

Shqipëria u bë të premten shtet anëtar në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së, sistemi i BE-së për menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë.

Si një anëtare me të drejta të plota, Shqipëria jo vetëm që do të jetë në gjendje të marrë mbështetje të menjëhershme, por gjithashtu mund të dërgojë ndihmë për vendet e goditura nga një fatkeqësi nëpërmjet mekanizmit, duke çuar në reagim më të fortë dhe më të koordinuar ndaj krizave në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës, thuhet në një njoftim të Komisionit Evropian, citon “ATSH”. Marrëveshja u nënshkrua mes ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi dhe Komisionerit Europian për Mbrojtjen Civile, Janez Lenarçiç.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Peleshi u shpreh se tashmë vendi do të jetë përfitues i transferimit të dijeve e të teknologjisë.

“Teknologjia avancon shpejt, është e domosdoshme, e nevojshme, për t’u integruar gjithnjë e më tepër në sistemin e mbrojtjes civile, kemi nevojë për ngritjen e kapaciteteve njerëzore, për trajnime, për manuale të caktuara, të cilat nuk mund t’i përfitonim dot në masën, në formën dhe në shpejtësinë që do t’i përfitojmë tani si anëtarë të këtij mekanizimi”,- theksoi Peleshi. (Irma)