Kina i prin rimëkëmbjes globale të botës në samitin e G20, takimi Xi-Biden në Bali jep sinjale rivitalizimi të marrëdhënieve kino-amerikane
2022-11-18 11:24:56


Takimi vjetor i nivelit të lartë i Grupit të Njëzet vendeve më të fuqishme ekonomike në botë i njohur si G20-ta dhe i themeluar në vitin 1999 me një përbërje prej 19 vendesh plus Bashkimin Evropian, i cili u mbajt në Bali të Indonezisë nga 14 deri më 16 nëntor të këtij viti me temë “Rimëkëmbje e përbashkët, rimëkëmbje më e forte”, tërhoqi ndër të tjera vëmendje të veçantë për dy ngjarje kulminante: fjalimin programatik të Presidentit të Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping dhe takimin e bisedimet e tij në këtë kuadër me presidentin amerikan Joe Biden.

Si fjalimi me titull “Së bashku për të përballuar sfidat e kohës dhe së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të mirë” mbajtur nga presidenti Xi ashtu edhe takimi me homologun amerikan u karakterizuan nga mesazhi i fortë dhe konstruktiv i Pekinit zyrtar se fuqitë botërore dhe rajonale duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre dhe të kërkojnë zhvillim për të gjitha vendet, mirëqenie për njerëzimin dhe përparim për botën.

Takimi me Biden, për të cilin ishte folur shumë në mbarë botën dhe me mijëra analiza e hamëndësime nga më të ndryshmet ishin bërë, i parapriu fjalimit të Xi-së në debatin e përgjithshëm në samit dhe bisedimet që zgjatën, sipas njoftimeve, mëse tre ore, u zhvilluan në marxhinat e G20-tës më 14 nëntor. Ky takim midis dy presidentëve të fuqive më të mëdha të botës, i pari i drejtpërdrejtë ndërmjet tyre pas tre viteve të fundit për shkak të pandemisë, ishte projektuar të ishte ndër veprimtaritë diplomatike më të rëndësishme në kuadër të samitit të Balit, dhe shumë përgatitje ishin bërë për të nga të dy palët si dhe vendi mikpritës. Para samitit të Balit presidentët, që në fakt janë të njohur të vjetër që kur të dy kanë qenë zëvendës presidentë, kanë qenë të angazhuar në politikat e brendshme dhe konkretisht Xi me Kongresin historik të 20-të të Partisë Komuniste të Kinës, ku edhe u rizgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror e gjithashtu u miratua programi i ri për zhvillimin e Kinës në një vend modern socialist në epokën e re. Kurse Biden, i cili që në fillim të takimit e uroi Xi-në për rizgjedhjen e tij nga Kongresi, ishte dhe është akoma i angazhuar në zgjedhjet e pjesëshme për Senat e Dhomën e Përfaqësuesve në një përballje si rrallë ndonjëherë shumë konkurruese me tone armiqësore midis Demokratëve në pushtet e Republikanëvë të udhëhequr nga Donald Trump. Me pak fjalë të dy presidentët uleshin ballë për ballë me një staturë të re të brendshme, që domosdo influencon fort në politikën e jashtme, aq më shumë në marrëdhëniet e ndërsjella kino-amerikane.

Nga ana tjetër vëmendja ishte e madhe si nga opinioni publik i të dy vendeve përkatëse ashtu edhe në rang botëror për rezultatet e këtyre bisedimeve sepse çdo gjë po ndodhte në sfondin e nivelit më të ulët të marrëdhënieve kino-amerikane gjatë viteve të fundit me elementë të propaganduar nga Uashingtoni si ‘Luftë e ftohtë’ e me deklarimin e Kinës prej politikëbërësve amerikanë si ‘rreziku më i madh për SHBA, më i madh madje se edhe Rusia’.

Në fakt, Pekini zyrtar, duke ndjekur politikën tradicionale të pragmatizmit dhe vetëpërmbajtjes shembullore, është përpjekur ta minimizonte këtë frymë luftënxitëse, duke iu përmbajtur pa ekuivok ‘piketave të kuqe’ të politikës së saj të brendshme dhe të jashtme, por nisur nga vullneti për paqë në botë dhe dëshira e mirë për t’mos i shtuar njerëzimit një përballje të re të dy fuqive më të mëdha botërore, kur situata ndërkombëtare është përkeqësuar deri në atë pikë saqë të kujton retë e zeza të para Luftës së Dytë Botërore, ka dhënë sinjale se rruga më e mirë është dialogu. Më duket tejet largpamëse dhe e përshtatshme për situatën aktuale të marrëdhënieve kino-amerikane dhe në përgjithësi të gjendjes globale në bote sentenca largpamëse e presidentit Xi në takimin e 4 nëntorit në Pekin më kancelarin gjerman Olaf Scholz se është e lehtë të shkatërrosh besimin politik por është e vështirë ta rindërtosh dhe prandaj ai duhet ushqyer dhe mbrojtur nga të dy palët!

Kur topat buçasin në luftën në Ukrainë, e para përballje masive ushtarake e dy shteteve që nga 1945 në kontinentin e Europës dhe ku gjithashtu Ballkani Perëndimor, si pjesë e rëndësishme gjeostrategjike, nuk ka qetësi, kur gjendja është e ndezur në Lindjen e Mesme, kur konfliktet vazhdojnë në Afrikë e Azi, një përkeqësim i mëtejshëm dhe në fakt i panevojshëm dhe pa shkak thelbësor i marrëdhënieve kino-amerikane do të ishte goditje fatale për njerëzimin që, nga ana tjetër, vazhdon të vuaj prej pandemisë dhe thellimit të krizës energjetike si pjesë e asaj globale, duke çuar vende të zhvilluara si Britania e Madhe dhe shumë vende anëtare të BE-së drejt recensionit. Shumë analistë, por në surdinë edhe politikanë të njohur të vendeve përkatëse, e kanë pranuar tashmë se recensioni do të godas fort në vitin 2023. Dhe ekonomia kineze shihet si valvula e shpëtimit.   

Prandaj mori vlera të veçanta deklarimi i sinqertë, i drejtpërdrejtë dhe real i Presidentit kinez Xi Jinping në takimin me homologun e tij amerikan Joe Biden kur vuri në dukje se gjendja aktuale e marrëdhënieve Kinë-SHBA nuk është në interesin themelor të dy vendeve dhe popujve, dhe nuk është ajo që pret komuniteti ndërkombëtar. Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të kenë një ndjenjë përgjegjësie për historinë, për botën dhe për njerëzit, të eksplorojnë mënyrën e duhur për t'u marrë vesh me njëra-tjetrën në epokën e re, ti vendosin marrëdhëniet në rrugën e duhur dhe ti rikthejnë ata në rrugën e rritjes së shëndetshme dhe të qëndrueshme në dobi të dy vendeve dhe botës në tërësi, theksoi Xi.

Gjatë bashkëbisedimit Xi i përsëriti kreut të Shtëpisë së Bardhë se Kina do të jetë e përkushtuar ndaj zhvillimit paqësor, zhvillimit të hapur dhe zhvillimit të favorshëm, do të marrë pjesë dhe do të kontribuojë në zhvillimin global dhe do të ndjekë zhvillimin e përbashkët me vendet në mbarë botën.

Duke folur konkretisht për raportet midis dy vendeve, Xi tha se marrëdhëniet Kinë-SHBA nuk duhet të jenë një lojë me shumën zero ku njëra palë konkurron ose lulëzon në kurriz të tjetrës. “Sukseset e Kinës dhe Shteteve të Bashkuara janë mundësi, jo sfida për njëra-tjetrën. Bota është mjaft e madhe që të dy vendet të zhvillohen dhe të përparojnë së bashku. Të dyja palët duhet të krijojnë një perceptim korrekt për politikat dhe synimet strategjike të njëra-tjetrës, të brendshme dhe të jashtme”. Sipas tij, ndërveprimet kino-amerikane duhet të përcaktohen nga dialogu dhe bashkëpunimi fitues, jo konfrontimi dhe konkurrenca me shumën zero.

Në këtë aspekt, presidentit Xi theksoi qartë se të dyja palët duhet të punojnë së bashku për të siguruar që marrëdhëniet kino-amerikane të ecin përpara në kursin e duhur pa humbur drejtimin apo shpejtësinë, aq më pak të mos kenë përplasje.

Ai solli në vëmendje respektimin e normave bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe tre komunikatat e përbashkëta Kinë-SHBA, të cilat i vlerësoi si me rëndësi jetike për të dy palët për të menaxhuar dallimet dhe mosmarrëveshjet dhe për të parandaluar konfrontimin dhe konfliktin.

Dhe Xi ishte i drejtpërdrejtë në këtë aspekt duke theksuar se çështja e Tajvanit është thelbi i interesave thelbësore të Kinës, themeli i bazamentit politik të marrëdhënieve Kinë-SHBA, dhe vija e parë e kuqe që nuk duhet kaluar në marrëdhëniet dypalëshe. Kushdo që kërkon të ndajë Tajvanin nga Kina do të shkelë interesat themelore të kombit kinez; populli kinez nuk do ta lejojë absolutisht që kjo të ndodhë, paralajmëroi Xi.

E shqiptuar pa asnjë ekuivok nga Presidenti Xi sy më sy në takimin me Biden ‘piketa e kuqe’ mbi çështjen e Tajvanit merr vlerë të veçantë sepse është edhe një përgjigje në nivelin më të lartë ndaj atyre qarqeve anti-kineze pjesë e të cilave është edhe Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, e cila me arrogancën e saj tipike cenoi rëndë sovranitetin e integritetin e Republikës Popullore të Kinës me vizitën e saj në rajonin kinez të Tajvanit. Ajo e pasuesit e saj e morën përgjigjen edhe zyrtarisht por edhe në terren në demonstrimin e gatishmërisë së forcës ushtarake kineze për të mbrojtur çdo cep të tokës kineze e për të rivendosur çdo të drejtë të shkelur sa i përket tërësisë territoriale të vendit. Pelosi po ikën nga posti për shkak të humbjes në zgjedhjet e fundit por damka që i la vetes është e pashlyeshme si armike e një populli prej 1.4 miliard njerëzish.

Ndërkohë me realizëm Xi i parashtroi Bidenit qëndrimin kinez lidhur me lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, duke theksuar se ashtu si Shtetet e Bashkuara kanë demokraci të stilit amerikan, Kina ka demokraci të stilit kinez; të dyja përshtaten me kushtet e tyre përkatëse kombëtare. “Demokracia popullore e gjithë procesi i praktikuar në Kinë bazohet në realitetin, historinë dhe kulturën e vendit dhe pasqyron vullnetin e njerëzve. Ne jemi shumë krenarë për të”, vuri në dukje Xi, duke dhënë përgjigje ndaj kritikave tashmë bajate për shkelje të të drejtave të njeriut dhe këto vite janë shënjeshtruar rajone si Xinjiangu. Prandaj, sipas tij, ka patur dhe do të vazhdojë të ketë dallime mes dy vendeve, por assesi këta dallime nuk duhet të bëhen pengesë për rritjen e marrëdhënieve Kinë-SHBA.

Konkretisht historia botërore ka treguar se teoritë e ‘eksportimit’ të demokracisë, veçanërisht të aplikuara nga fuqitë neokolonaliste me SHBA si ‘kampione e demokracisë’, kanë prodhuar fatkeqësi të mëdha për shumë popuj e rajone të botës. Shembullin më të fundit e kemi në Afganistan ku ‘eksportimi’ i demokracisë amerikane e ka shkatërruar atë vend aq keq dhe ka shtuar armiqësitë midis grupimeve të ndryshme politike, fetare dhe etnike duke krijuar një situatë akoma më të rëndë se para 20 viteve të pushtimit amerikan. Jo pa pasoja kanë qenë veprime të tilla edhe në Lindje të Mesme, Amerikë Latine e Afrikë. Prandaj po forcohet fronti kundër ndërhyrjeve të tilla amerikane dhe OKB-ja por edhe KO misioni l për të Drejtat e Njeriut janë kthyer në tribuna ku pjesa dërmuese e vendeve në zhvillim dënojnë ashpër sjelljen prej prepotenti të Uashingtonit dhe kundërshtojnë me dokumente se çfarë fshihet nën maskën e vendosjes së demokracisë ala- amerikane.

Temë e ndjeshme e prekur nga Xi në situatën aktuale të krizës ekonomike e tregtare globale, që ka goditur botën me prognoza për përkeqësim të mëtejshëm të saj, ishte rritja e interesave të përbashkëta përkundrejt dëmeve që sjellin fillimi i një lufte tregtare ose një lufte teknologjike, ndërtimi i mureve dhe barrierave dhe shtytja për shkëputjen e zinxhirëve të furnizimit. Sipas tij, këto bien ndesh me parimet e ekonomisë së tregut dhe minojnë rregullat e tregtisë ndërkombëtare. Kina kundërshton politizimin dhe armatosjen e lidhjeve ekonomike dhe tregtare si dhe shkëmbimet në shkencë dhe teknologji.

Sipas Xi-së në rrethanat aktuale, Kina dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë më shumë, jo më pak, interesa të përbashkëta. “Është në interesin tonë të përbashkët dhe themelor të parandalojmë konfliktin dhe konfrontimin dhe të arrijmë bashkëjetesën paqësore. Të dy ekonomitë janë thellësisht të integruara dhe të dyja përballen me detyra të reja në zhvillim. Është në interesin tonë të përbashkët të përfitojmë nga zhvillimi i njëri-tjetrit”.

Nisur nga sa më sipër e shikoj me vend tu referohem të dhënave zyrtare të publikuara nga zëdhënësja e Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës Meng Wei më 16 nëntor 2022 të cituara nga CRI sipas të cilave ekonomia e Kinës pritet të mëkëmbet më tej në pjesën tjetër të vitit 2022, teksa paketa ekonomike stimuluese e qeverisë pritet të japë rezultate në tremujorin e katërt. Prodhimi industrial me vlerë të shtuar i Kinës u rrit 5 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2021. Gjatë dhjetë muajve të parë të këtij viti, investimet në pasuritë fikse në Kinë u rritën 5.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vjetshme, me një shtim të investimeve në infrastrukturë dhe manifakturë, përkatësisht 8.7 për qind e 9.7 për qind. Përtëritja ekonomike dhe stabilizimi i fushave kryesore po përshpejtohen, teksa një paketë politikash për stabilizimin e ekonomisë dhe masat pasuese po hyjnë gradualisht në fuqi, bëri të ditur Meng. E kujtdo i jepet e drejta të pyes se a ndikon pozitivisht një zhvillim i tillë edhe për vendet partnere të Kinës në ekonomi e tregti? Mendoj se kur ekonomitë e shumë vendeve të zhvilluara në Perëndim, përfshi SHBA-në e vendet e BE-së, kanë mbetur në vend numëro ose më keq akoma ritmet e rritjes janë negative një dritare zhvillimi si ky në rastin e Kinës është shpresëdhënës. Pikërisht ky ishte edhe synimi i samitit të Balit- rimëkëmbje e përbashkët.

Lidhur më luftën në Ukrainë Xi theksoi se është e rëndësishme të mendohet seriozisht se konfliktet dhe luftërat nuk prodhojnë fitues, nuk ka zgjidhje të thjeshtë për një çështje komplekse, dhe se duhet të shmanget konfrontimi midis vendeve të mëdha. “Kina ka qëndruar gjatë gjithë kohës në anën e paqes dhe do të vazhdojë të inkurajojë bisedimet e paqes. Ne mbështesim dhe presim me padurim rifillimin e bisedimeve të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës. Në të njëjtën kohë, ne shpresojmë se Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe BE-ja do të zhvillojnë dialog gjithëpërfshirës me Rusinë”, tha Xi.

Një frymë më pajtuese se më parë dhe zotime për frymë të re në marrëdhëniet kino-amerikane karakterizuan qëndrimin e Presidentit amerikan Biden në bisedime gjatë të cilave ai e uroi Xi-në për zgjedhjen e tij si Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së. Sipas tij, si dy vende të mëdha, Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë përgjegjësinë për të mbajtur marrëdhënie konstruktive.

Biden ripohoi se një Kinë e qëndrueshme dhe e begatë është e mirë për Shtetet e Bashkuara dhe botën. Shtetet e Bashkuara respektojnë sistemin e Kinës dhe nuk kërkojnë ta ndryshojnë atë.

Po kështu ata nuk kërkojnë një luftë të re të ftohtë, nuk kërkojnë të rigjallërojnë aleancat kundër Kinës, nuk mbështesin "pavarësinë e Tajvanit", nuk mbështesin "dy Kina" ose "një Kinë, një Tajvan" dhe nuk kanë ndërmend të kenë një konflikt me Kinën. Pala amerikane nuk ka ndërmend të kërkojë "ç'bashkim" nga Kina, për të ndalur zhvillimin ekonomik të Kinës ose për të frenuar Kinën. “Ajo nuk kërkon të përdorë çështjen e Tajvanit si një mjet për të frenuar Kinën dhe shpreson të shohë paqe dhe stabilitet përtej ngushticës së Tajvanit”, tha Biden, i cili ndërkohë, sikurse kumtonte një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë e lëshuar pas takimit, ngriti pretendimet për praktikat e PKK-së në Xinjiang, Tibet dhe Hong Kong, dhe të drejtat e njeriut më gjerësisht.

Por sikurse njoftohet zyrtarisht të dy presidentët e konsideruan takimin si të thelluar, të sinqertë dhe konstruktiv. Ata udhëzuan ekipet e tyre që të ndjekin dhe zbatojnë menjëherë mirëkuptimet e përbashkëta të rëndësishme të arritura mes tyre dhe të ndërmarrin veprime konkrete që marrëdhëniet midis dy vendeve të kthehen në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm. Të dy presidentët ranë dakord të mbajnë kontakte të rregullta dhe Sekretari i Shtetit Blinken do të vizitojë Kinën për të ndjekur diskutimet e tyre.

Megjithatë, sipas mendimit tim, koha do të tregojë se sa e përkushtuar është udhëheqja amerikane ndaj këtyre angazhimeve se për fat të keq zotime e përbetime të kësaj natyre janë bërë edhe në shumë raste të tjera, por në aspektin praktik veprimet kanë qënë të ngarkuara me frymën anti-kineze sikurse e dëshmoi vetë Biden, që nuk hoqi dorë nga karta e djegur e të drejtave të njeriut!

Me shumë interes u prit në samitin e Balit edhe qëndrimi zyrtar i Kinës për gjendjen në botë dhe rrugët për të përballuar sfidat e kohës dhe së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të mire i paraqitur, sikurse e thashë edhe më sipër, në fjalimin e Presidentit Xi, i cili krahas takimit me Biden zhvilloi shume takime me homologët e tij pjesëmarrës në samit, përfshi edhe atë francez Emanuel Macron. Për këtë të fundit ka patur njoftime jo zyrtare se do të bëjë një vizitë në Pekin në fillim të vitit 2023. 

Sipas panoramës së paraqitur nga Presidenti Xi në fjalimin e tij, bota e tanishme po përballon ndryshime të mëdha të papara në një shekull, të cilat janë ndryshime të botës, të kohërave dhe të historisë. Ai rradhiti problemet negative që po përjeton njerëzimi si epidemia e COVID-19, që po vazhdon të përhapet, ekonomia botërore është më e dobët, situata gjeopolitike është e tensionuar, qeverisja globale ka mangësi serioze, kriza të shumta, si ato ushqimore dhe energjetike, po mbivendosen dhe zhvillimi njerëzor po përballet me sfida të mëdha.

Alternative e ofruar vendeve anëtare të G20-s prej tij është si më poshtë:  "Përballë këtyre sfidave, të gjitha vendet duhet të krijojnë ndjenjën e një bashkësie me të ardhme të përbashkët për njerëzimin, të promovojnë paqen, zhvillimin, bashkëpunimin e përfitimet e përbashkëta dhe të zëvendësojnë ndarjen me solidaritetin, konfrontimin me bashkëpunimin e përjashtimin me tolerancën, duke  i dhënë përgjigje pyetjes së epokës sonë se çfarë ka ndodhur me botën dhe çfarë duhet të bëjmë?’, për të kaluar vështirësitë dhe për të krijuar të ardhmen së bashku”.

Duke vënë theksin në promovimin e zhvillimit global më gjithëpërfshirës, Xi theksoi se modernizimi nuk është privilegj i asnjë vendi. Vendet e përparuara duhet të ndihmojnë sinqerisht vendet e tjera të zhvillohen, duke ofruar më shumë produkte publike globale. “Kina po nxit Nismën e Zhvillimit Global me mbi 100 vende dhe organizata ndërkombëtare. Ne duhet të promovojmë një zhvillim global më të qëndrueshëm. Është e nevojshme të ndërtojmë një partneritet për rimëkëmbjen ekonomike globale dhe të thellojmë bashkëpunimin në fushat e luftës kundër epidemisë, inflacionit, borxhit, ekonomisë digjitale dhe transformimit të gjelbër. Kina mbështet përfshirjen e Bashkimit Afrikan në G20”, tha presidenti kinez në fjalimin e tij.

Xi ishte i mendimit se duhet të ruhet sistemi tregtar shumëpalësh me Organizatën Botërore të Tregtisë në thelb, por, sipas tij, duhet të nxitet në mënyrë aktive reforma e kësaj organizate dhe të promovohet lehtësimi e liberalizimi i tregtisë dhe i investimeve. Ai vuri në dukje propozimin kinez për një plan veprimi për bashkëpunimin në fushën e inovacionit digjital dhe pret të punojë më të gjithat palët për të krijuar një mjedis të zhvillimit të ekonomisë digjitale të hapur, të drejtë e jodiskriminues, me qëllim për të ngushtuar hendekun digjital mes vendeve të Veriut dhe atyre të Jugut. Xi u ndal edhe tek problemi serioz që kanos njerëzimin – sfida e ndryshimit të klimës dhe kalimit drejt zhvillimit të gjelbër me lëshim të ulët karboni. Sipas tij, te gjithë vendet duhet t’i përmbahen tolerancës zero ndaj korrupsionit dhe të forcojmë bashkëpunimin ndërkombëtar në ndjekjen e të arratisurve.

Sfidat më urgjente në fushën e zhvillimit global i konsideroi Xi sigurinë ushqimore e energjetike. “Shkaku i krizës së tanishme nuk është problemi i prodhimit dhe i kërkesës, por problemi i zinxhirit të furnizimit dhe ndërhyrjet në bashkëpunimin ndërkombëtar”, ai tha.  Duke qenë konkret si në shumë raste të tjera Xi iu referua krijimit nga OKB-ja të një ‘Grupi global të reagimit ndaj krizave ushqimore, energjetike dhe financiare’. 

E natyrshme që me interes u prit edhe një konkluzion i Xi-së lidhur me Kongresin e 20-të Kombëtar të PKK-së i cili, sipas tij, planifikoi objektivat, detyrat dhe politikat kryesore për zhvillimin e partisë dhe të vendit në pesë vjetët e ardhshëm ose më gjatë. “Kina do të ndjekë në mënyrë të palëkundur rrugën e zhvillimit paqësor, do të thellojë reformën, do të zgjerojë hapjen dhe do të nxisë modernizimin e stilit kinez, për të promovuar përtëritjen e madhe të kombit kinez”, theksoi Presidenti në fund të fjalës së tij.  

Në një reagim për gazetarët më 14 nëntor lidhur me takimin Xi-Biden këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi deklaroi se shkëmbimi i mendimeve ndërmjet presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit amerikan Joe Biden lidhur me marrëdhëniet ndërmjet Kinës e SHBA-së dhe perspektivat e zhvillimit paqësor të botës ishte i sinqertë, i thellë, konstruktiv dhe strategjik. Kryediplomati shtoi se takimi i zhvilluar në Bali të Indonezisë përcaktoi drejtimin e qartë të parandalimit të "shkëputjes" në marrëdhëniet kino-amerikane dhe të gjetjes së mënyrës së duhur që të dy fuqitë e mëdha të shkojnë mirë me njëra-tjetrën.

Në fund të samitit udhëheqësit e G20-tës miratuan një deklaratë të përbashkët, duke riafirmuar angazhimin e tyre për bashkëpunim për të adresuar sfidat serioze ekonomike globale. Sipas deklaratës, liderët e G20-tës thanë se kolektivisht mbajnë përgjegjësi dhe bashkëpunimi i tyre është i domosdoshëm për rimëkëmbjen ekonomike globale, duke trajtuar sfidat globale dhe duke hedhur themelet për një rritje të fortë, të qëndrueshme, të balancuar dhe gjithëpërfshirëse.

Është thelbësore të mbështeten e drejta ndërkombëtare dhe sistemi multilateral që mbron paqen dhe stabilitetin, vinte në dukje deklarata, duke theksuar se zgjidhja paqësore e konflikteve, përpjekjet për të adresuar krizat si dhe diplomacia dhe dialogu janë jetike.

Blloku tha se ata ishin të përkushtuar për të mbështetur vendet në zhvillim, veçanërisht shtetet më pak të zhvilluara dhe ishujt e vegjël në zhvillim në përgjigjen ndaj sfidave globale dhe arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Udhëheqësit thanë se do të koordinoheshin për të arritur një rimëkëmbje globale të fuqishme, gjithëpërfshirëse dhe elastike dhe zhvillim të qëndrueshëm që ofron vende pune dhe rritje.

Ata riafirmuan angazhimet e tyre të palëkundura për trajtimin e ndryshimeve klimatike duke forcuar zbatimin e plotë dhe efektiv të Marrëveshjes së Parisit, ripohuan se sistemi tregtar shumëpalësh i bazuar në rregulla, jodiskriminues, i lirë, i drejtë, i hapur, gjithëpërfshirës, i barabartë, i qëndrueshëm dhe transparent, me OBT-në në thelbin e tij, është i domosdoshëm për avancimin e objektivave të tyre të përbashkëta.

Duke folur në ceremoninë e mbylljes së samitit, presidenti indonezian Joko Widodo tha se vendi i tij mori presidencën e G20 "me një shpresë për të bashkuar vullnetin tonë në arritjen e rimëkëmbjes globale gjithëpërfshirëse nga pandemia". Rezultati dhe projektet bashkëpunuese të arritura gjatë samitit i përçojnë punët e G20-tës më afër njerëzve dhe mund të përfitojnë jo vetëm anëtarët e tij, por edhe bota,  veçanërisht vendet në zhvillim, tha Widodo.

"Le të rimëkëmbemi së bashku, të rimëkëmbemi më të fortë", tha presidenti indonezian përpara se t'i dorëzonte presidencën Indisë, duke shtuar se "G20 do të vazhdojë të ecë përpara".     

Presidenti Xi, sikurse njoftoi agjencia Xinhua, u largua nga Indonezia të enjten pasi mori pjesë në Samitin e 17-të të Grupit 20-tës në këtë ishull turistik indonezian dhe agjenda e tij e mëtejme përmban pjesëmarrjen në Takimin e 29-të të Liderëve Ekonomikë të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor dhe një vizitë në Tajlandë.