Në takimin e G20, Kina paraqiti të ardhmen transnacionale të botës
2022-11-18 10:48:43

Transnacionaliteti është parimi i veprimit në një shkallë gjeografike më të madhe se ajo e shteteve, në mënyrë që të merren parasysh interesat e një entiteti mbikombëtar dhe ky koncept lidhet me atë të transnacionalizmit, që është një dukuri shoqërore e lindur nga ndërlidhja e shtuar midis individëve, bizneseve dhe shteteve, në një botë përherë e më të vogël.

Orientimi i Kinës në arenën botërore ka prirje të dukshme transnacionale dhe pjesëmarja e Kinës në Samitin e XVII të vendeve anëtare të G20, në Indonezi tregoi se rruga drejt transnacionalizmit në shkallë globale do ndikohet në një masë të madhe nga Kina moderne, që me projektin e saj të madh të rivitalizimit të jetës ekonomike dhe sociale në vend, sjell nxitje dhe zgjidhje për pjesën tjetër të globit.

G20 është një platformë strategjike shumëpalëshe me mekanizma të rëndësishëm në qeverisjet ekonomike globale, që ndërthur ekonomitë e vendeve të zhvilluara me ato në zhvillim, me rol strategjik në sigurimin e rritjes dhe prosperitetit ekonomik global.

Së bashku, anëtarët e G20 përfaqësojnë më shumë se 80 për qind të PBB-së botërore, 75 për qind të tregtisë ndërkombëtare dhe 60 për qind të popullsisë botërore. Anëtarët e G20 janë: Argjentina, Australia, Brazili, Kanadaja, Kina, Franca, Gjermania, India, Indonezia, Italia, Japonia, Republika e Koresë, Meksika, Rusia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Spanja është gjithashtu e ftuar si mysafire e përhershme. Në takimet vjetore të G20 marrin pjesë si të ftuar përfaqësues shtetesh dhe organizatash të ndryshme ndërkombëtare dhe rajonale që i japin forumit një përfaqësim edhe më të gjerë.

Kina vjen në këtë takim pas suksesit të plotë të Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës, i cili do të çojë përpara përtëritjen e kombit kinez në të gjitha frontet drejt modernizimit, dhe mbështet dhe ndan me pjesën tjetër të botës filozofinë e kërkimit të një zhvillimi me në qendër njerëzit, idetë, interesat dhe të ardhmen e përbashkët, duke synuar që në 100 vjeçarin e dytë të këtij mijëvjeçari të ndërtojë një vend të madh, modern, socialist në të gjitha aspektet, dhe këtë rrugë ajo e shikon në ecurinë paralele të sistemeve dhe prosperitetit të vendeve të tjera, me anë të përpjekjeve të përbashkëta, promovimit të mirëqenies dhe kontributit të përbashkët të të tërë vendeve të botës për paqen, bashkëpunimin dhe zhvillimin global, për komunitete me fate dhe të ardhme të përbashkët.

Në diskutimin e tij në këtë Samit, Presidenti Xi vuri në dukje se “shkalla në rritje e ekonomisë digjitale dhe transformimi digjital i përshpejtuar në të gjithë globin janë bërë faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në peizazhin ekonomik botëror”. Ishte Kina që përfshiu për herë të parë në Samitin e G20 (Hangzhou. 2016), konceptin e ekonomisë dixhitale dhe bëri thirrje për gjetjen e mënyrave novatore për zhvillim dhe për të krijuar shtytës të rinj rritjeje.

Xi Jinping tha: “është e rëndësishme të mbështetet multilateralizmi dhe të forcohet bashkëpunimi ndërkombëtar, me përpjekje të përbashkëta për të nxitur një mjedis të hapur, gjithëpërfshirës, të barabartë, të drejtë dhe jodiskriminues për zhvillimin e ekonomisë digjitale dhe avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, për të ushqyer industrinë digjitale dhe promovimin e transformimit digjital të industrive, për të çliruar potencialin e digjitalizimit, etj.

“Ndërtimi i oborreve të vogla me gardhe të larta, për të kufizuar ose penguar bashkëpunimin në shkencë dhe teknologji do të dëmtojë interesat e të tjerëve pa përfituar për vehten. Praktika të tilla janë të papajtueshme me interesat e përbashkëta të bashkësisë ndërkombëtare”, tha Xi Jinping.

Kina në këtë Samit premtoi se do të vazhdojë të punojë me anëtarët e G20 për të nxitur një peizazh të ekuilibruar, të koordinuar dhe gjithëpërfshirës të ekonomisë globale digjitale që sjell përfitime për të gjithë dhe karakterizon bashkëpunimin fitues dhe prosperitet të përbashkët.

Edhe në takimet e Xi Jinping  dhe të zyrtarëve të lartë kinezë me homologët e tyre, Kina bëri thirrje për një plan të përgjithshëm për bashkëpunimin konkret në fusha të ndryshme, do të vënë në lojë të plotë Mekanizmin e Dialogut dhe Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë me vendet e tjera, për të konsoliduar sinergjinë midis vendeve dhe shteteve, përmes bashkëpunimit me katër shtylla që mbulojnë politikën, ekonominë, shkëmbimet mes njerëzve, projektet madhore ndërkombëtare të infrastrukturës dhe forcimin e koordinimit strategjik në çështjet rajonale dhe shumëpalëshe, duke respektuar parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme dhe respektimin e sovranitetit kombëtar, sigurisë dhe integriteti territorial.

Zhvillimi i infrastrukturës dhe nxitja e projekteve me natyrë ndërkombëtare në këtë sektor, mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm, ekonomia digjitale bashkëpunimi tregtar dhe në investime, mbështetja dhe ruajtja e funksionimit të zinxhirit të furnizimit, cilësia, siguria dhe garancia ushqimore, bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë, inovacioni e teknologjitë, arsimi, kultura, turizmi dhe rinia, zhvillimi rajonal dhe global ishin pika të rëndësishme në të cilat Presidenti i Kinës Xi Jinping u fokusua në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë si në fjalën e tij në Samit, ashtu dhe në takimet dypalëshe me homologët e shteteve të tjera.

Palët ndanë në këto takime interesat e përbashkëta në lidhje me sigurimin e paqes dhe stabilitetit përmes dialogut dhe diplomacisë, dhe u zotuan që të mbajnë komunikim dhe koordinim në çështjet e sigurisë rajonale dhe globale, si dhe për të trajtuar me përparësi sfidat globale si terrorizmi, ndryshimet klimatike, siguria kibernetike, biosiguria dhe garancia ushqimore, forcimi i multilateralizmin dhe bashkëpunimit në forume ndërkombëtare dhe shumëpalëshe si Kombet e Bashkuara, APEC, G20, BRICS, Lëvizja e të Paangazhuarve, Grupi i 77, etj., me synimin për të mbrojtur me vendosmëri të drejtat dhe interesat e vendeve, stabilizimin dhe garantimin e drejtësisë globale, promovimin e qeverisjes globale drejt zhvillimit me drejtësi, për më shumë kontribut në ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, etj.

Kina në këtë Samit theksoi se synon bashkëpunim në kuadër të Iniciativës një Brez dhe një Rrugë, Iniciativën e Mbështetjes Globale Detare, Marrëveshjeve për zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh ekonomik e tregtar, bashkëpunimin për ekonominë digjitale, arsimin, formimin profesional, bujqësinë, shëndetin, bimët mjekësore, median, financimin e infrastrukturës, etj.

Një rëndësi të veçantë në ditët e këtij Samiti pati edhe takimi midis Presidentit të Kinës Xi Jinping dhe Presidentit të SHBA-ve John Biden, që zgjati më shumë se tre orë. Pas takimit Pekini dhe Uashingtoni sinjalizuan se do të ecin përpara për të punuar së bashku për një sërë çështjesh. Ministria e Punëve të Jashtme e kinës në një deklaratë të saj theksoi se “biseda u fokusua në çështjet e ndryshimeve klimatike, shëndetësinë, cilësinë, sigurinë dhe garancinë ushqimore, mbajtjen hapur të linjave të komunikimit me anë të ekipeve diplomatike, kryerjen e konsultimeve të rregullta, vazhdimin e dialogut dhe koordinimit të ekipeve financiare në lidhje me politikat makroekonomike, lidhjet ekonomike dhe tregtinë, vazhdimin e punës së ekipeve të dy vendeve për të punuar dhe promovuar zgjidhjen e më shumë çështjeve, etj”.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se: “të dy udhëheqësit ranë dakord të fuqizojnë zyrtarët kryesorë të lartë për të mbajtur komunikimin dhe për të thelluar përpjekjet konstruktive për çështje të tilla si ndryshimi i klimës, stabiliteti makroekonomik global, duke përfshirë lehtësimin e borxhit, sigurinë shëndetësore dhe sigurinë globale të ushqimit. Të dy udhëheqësit mbështetën përpjekjet për të adresuar çështje specifike në marrëdhëniet SHBA-Kinë përmes grupeve të punës dhe mekanizmave të tjerë. Konkurrenca (SHBA-Kinë) nuk duhet të kalojë në konflikt dhe të dy vendet duhet të menaxhojnë konkurrencën me përgjegjësi dhe të mbajnë linja të hapura komunikimi”. “Sekretari i Shtetit Blinken do të vizitojë Kinën së afërmi për të ndjekur diskutimet midis udhëheqësve në këtë Samit”, tha Shtëpia e Bardhë.

Pas takimit Biden tha: “Xi ishte po aq i drejtpërdrejtë sa ka qenë me mua edhe në të kaluarën, dhe mendoj se ne e kuptojmë njëri-tjetrin, gjë që është gjëja më e rëndësishme që vërtet na duhet”.

Një vend të rëndësishëm pati gjatë Samitit edhe takimi që Xi Jinping pati me kryeministrin Australian, Anthony Albanese, që në fund të takimit deklaroi se: “Ishte një diskutim shumë pozitiv dhe konstruktiv dhe isha i kënaqur që u mbajt. Ne e dimë se Kina është partneri më i madh tregtar i Australisë. Volumi tregtar me Kinën vlen më shumë se Japonia, SHBA-ja dhe Republika e Koresë së bashku. Pra, është një marrëdhënie e rëndësishme për Australinë.” Duket se Australia dëshiron një marrëdhënie të hapur dhe të fortë me Kinën.

Është e dukshme se një marrëdhënie më e përzemërt, më e qëndrueshme me më shumë komunikim do të sillte përfitim për të dy palët.

Duket qartë se qasja e Kinës në botë ka synim transnacionalizmin, që është dukuria më e re dhe më moderne e një bote që ka hyrë tashmë në epokën e revolucionit të katërt.