Rusia e identifikon raketën e rënë në Poloni si raketë ukrainase
2022-11-18 10:58:31

Foto: VCG

Ekspertët rusë kanë konfirmuar nga fotot e rrënojave se predha që ra në Poloni ishte një raketë ukrainase, bëhet e ditur në një deklaratë të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, shkruan “Xinhua”.

Në deklaratë thuhet se ajo ishte një raketë e drejtuar kundërajrore e sistemit të mbrojtjes ajrore S-300 të forcave ajrore të Ukrainës.

“Akuzat nga burime të ndryshme për raketat ruse që goditën fshatin polak Przewodow pranë kufirit polako-ukrainas ishin një provokim i qëllimshëm me qëllim përshkallëzimin e situatës”, thuhet në deklaratë.

Qeveria polake konfirmoi të martën mbrëma se dy shtetas polakë ishin vrarë në shpërthimet në qytetin polak të Hrubieszow pranë kufirit Poloni-Ukrainë.

Shkaku i shpërthimeve mbetet i paqartë. Sipas medieve polake, shpërthimet ishin shkaktuar nga raketat ruse, por presidenti i Polonisë Andrzej Duda tha më vonë se nuk kishte asnjë tregues se shpërthimi ishte një sulm i qëllimshëm në Poloni.

Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg deklaroi se shpërthimi ka të ngjarë mos të ishte një sulm nga Rusia, por të ishte shkaktuar nga një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase.

Duke cituar rezultatet e një analize paraprake të mbeturinave të gjetura në vendin e shpërthimit, Stoltenberg tha pas një takimi urgjent të NATO-s për këtë çështje: “Ne nuk kemi asnjë tregues se ky ishte rezultat i një sulmi të qëllimshëm. Dhe ne nuk kemi asnjë indikacion se Rusia po përgatit veprime ushtarake sulmuese kundër NATO-s”.

Duda dhe Stoltenberg thanë se një hetim nga NATO-ja për incidentin është ende në vazhdim. (Fatosi)