Dyfishohen për të dytën javë radhazi rastet javore të gripit në SHBA
2022-11-17 17:40:03

Gripi ne SHBA (Foto Xinhua)

Gripi ne SHBA (Foto Xinhua)

Rastet javore të gripit, shtrimet në spital dhe vdekjet janë pothuajse dyfishuar për të dytën javë radhazi në Shtetet e Bashkuara, raportoi “ABC News”, duke cituar të dhëna nga Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Sipas raportit, deri tani këtë sezon ka pasur të paktën 2.8 milionë raste me grip, 23.000 shtrime në spital dhe 1300 vdekje, citon “Xinhua”.

Për krahasim, vlerësimet e javës së kaluar kishin 1.6 milionë raste, 13 mijë shtrime në spital dhe 730 viktima.

Për më tepër, shkalla kumulative e shtrimit në spital aktualisht është në 5 për 100.000, më e larta në këtë periudhë që nga sezoni 2010-‘11, thuhet në raport.

6465 pacientë të rinj u pranuan në spital këtë javë me komplikime të gripit, krahasuar me 4326 javën e kaluar. (Elona)