Rama: Brenda këtij mandati qeveritar rrisim me 100% rrogat e mjekëve dhe infermierëve
2022-11-17 17:11:58

Rama (Foto ATSH)

Rama (Foto ATSH)

Kryeministri Edi Rama deklaroi se ambicia e qeverisë është që brenda këtij mandati ta çojë në 100% rritjen e pagës së mjekëve e infermierëve në raport me pikënisjen. Gjatë përurimit të Spitalit të ri Infektiv në QSUT, Rama tha se me buxhetin e ri shkojnë në 70% rritja e pagave, citon “ATSH”.

“Me ndihmën e Zotit që mos të na sjellë një tjetër katastrofë që të na detyrojë të spostojmë fondet e dedikuara për qëllime të caktuara do të arrijmë ta çojmë në 100% rritjen e pagës për të gjithë”,- tha Rama.

Ai siguroi se investimet do të vijojnë edhe në territore të tjera, nga Dibra në Gjirokastër, nga Lezha dhe më tutje në zona të tjera për ta përmbyllur të gjithë mozaikun e infrastrukturës së shëndetësisë dhe për ta transformuar atë.

“Kjo nuk mjafton. Ne duhet të ecim me autonominë spitalore. Kemi modelin e parë që do t’i hapë rrugën shtrirjes së autonomisë për të bërë të mundur rritjen e pagës së mjekëve sipas performancës”,- tha ai.

Rama theksoi se kjo është ambicia për periudhën në vijim. (Elona)