Raporti: Punëtorët emigrantë kontribuojnë me 9 për qind të PBB-së së Italisë
2022-11-16 10:35:58

Foto: VCG

Punëtorët emigrantë kontribuuan me 143.9 miliardë euro (rreth 148 miliardë dollarë amerikanë) në ekonominë e Italisë ose 9 për qind të produktit të brendshëm bruto (PBB) të vendit vitin e kaluar, tregoi një raport i ri.

Bazuar në të dhënat nga Instituti Kombëtar i Statistikave dhe institucione të tjera publike, raporti vjetor "Ekonomia e Emigracionit" nga fondacioni “Leone Moressa” në Venecia dha një sërë njohurish mbi rolin që luajnë punëtorët dhe sipërmarrësit e lindur jashtë në tregun vendas.

Nga rreth 5.2 milionë emigrantë që banonin në Itali vitin e kaluar, afro 2.257.000 ishin të punësuar, që përbën 10 për qind të fuqisë totale të punës, thuhet në raportin e cituar nga “Xinhua”. Kontributi më i lartë i tyre në vlerë u regjistrua në sektorët e bujqësisë, hotelerisë dhe ndërtimit.

Pas një rënie të mprehtë për shkak të kufizimeve të lidhura me Covid, lejet e reja të punës për emigrantët u rritën ndjeshëm nga rreth 10.000 në 2020-n në mbi 50.000 në 2021-shin, që korrespondon me 9.7 për qind dhe 18.5 për qind të totalit të lejeve të lëshuara respektivisht.

Megjithatë, në raport thuhet se tregu i punës mbeti i fragmentuar, me një përqendrim më të fortë të punëtorëve emigrantë në disa sektorë dhe profesione sesa në të tjerë. Në vitin 2021, rreth 29.2 për qind ishin personel të pakualifikuar, ndërsa profesionet e kualifikuara dhe teknike përbënin rreth 2.2 për qind.

Por sipërmarrja e emigrantëve është në rritje. Raporti thotë se deri në fund të vitit 2021, sipërmarrësit e lindur jashtë u rritën me 1.8 për qind krahasuar me një vit më parë në 753.000, që përfaqëson një të dhjetën e totalit të sipërmarrësve në Itali.

Ai tregon gjithashtu se ndërsa numri i sipërmarrësve me origjinë italiane është ulur me 8.6 për qind në dhjetë vitet e fundit, sipërmarrësit me origjinë të huaj janë rritur me 31.6 për qind.

Tre kombësitë kryesore të sipërmarrësve me origjinë të huaj që punonin në Itali në vitin 2021 ishin kinezët, të cilët u rritën me 0.7 për qind në bazë vjetore, të ndjekur nga rumunët dhe marokenët. (Elona)