OKB-ja kërkon solidaritet në avancimin e zhvillimit të qëndrueshëm
2022-11-16 10:33:08

Foto: VCG

Kombet e Bashkuara (OKB) bënë thirrje për solidaritet në avancimin e zhvillimit të qëndrueshëm, ndërsa popullsia e botës arriti në 8 miliardë banorë.  

Në një njoftim për shtyp, cituar nga “Xinhua”, OKB-ja bën të ditur se shifra 8 miliardë është një thirrje e qartë për njerëzimin që të përmbushë përgjegjësinë e tij të përbashkët për të mbrojtur njerëzit dhe planetin, duke filluar nga më të rrezikuarit.  

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, deklaroi: “Nëse nuk e kapërcejmë hendekun midis të pasurve dhe të varfërve, do të gjendemi në një botë 8 miliardëshe të mbushur me tensione dhe mosbesim, krizë dhe konflikte”.  

Ndërsa popullsia e botës pritet të rritet në rreth 10.4 miliardë në vitet 2080, norma e përgjithshme e rritjes po ngadalësohet. Bota është më e larmishme nga ana demografike se kurrë më parë, me vendet që përballen me tendenca krejtësisht të ndryshme të popullsisë.  

Sot, dy të tretat e popullsisë globale jetojnë në një kontekst të fertilitetit të ulët, ku lindshmëria gjatë gjithë jetës është nën 2.1 lindje për grua. Në të njëjtën kohë, rritja e popullsisë është bërë gjithnjë e më e përqendruar midis vendeve më të varfra të botës, shumica e të cilave janë në Afrikën Sub-Sahariane.  

Në këtë sfond, thuhet në deklaratë, komuniteti global duhet të sigurojë që të gjitha vendet të jenë të pajisura për të ofruar një cilësi të mirë jetese për popullsinë e tyre dhe mund të ngrenë dhe fuqizojnë njerëzit e tyre më të margjinalizuar.  

“Ne duhet të përshpejtojmë përpjekjet për të përmbushur objektivat e Marrëveshjes së Parisit, si dhe për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Kemi nevojë për një shkëputje të shpejtë të aktivitetit ekonomik nga mbështetja e tepërt aktuale në energjinë e karburanteve fosile, si dhe një efikasitet më të madh në përdorimin e këtyre burimeve dhe duhet ta bëjmë këtë një tranzicion të drejtë dhe gjithëpërfshirës që mbështet ata që kanë mbetur pas”,- tha Li Junhua, nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për çështjet ekonomike dhe sociale.  

Për të ndjekur këto zgjidhje, nevojiten investime të shtuara nga shtetet anëtare dhe qeveritë donatore në politika dhe programe që punojnë për ta bërë botën më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse. (Elona)