OPEC ul më tej parashikimet e kërkesës globale të naftës në 2022-2023
2022-11-16 14:53:47

Foto: VCG

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës të hënën rishikoi më tej parashikimet e saj për kërkesën globale të naftës në 2022-shin dhe 2023-shin, duke përmendur sfidat ekonomike dhe pasiguritë gjeopolitike.

Parashikimet e fundit u publikuan në raportin mujor të OPEC-ut. Aleanca e prodhuesve të naftës kishte bërë tashmë disa rishikime në rënie të parashikimeve të saj të kërkesës në fillim të vitit.

OPEC tani pret që kërkesa globale për naftë të jetë mesatarisht 99.6 milionë fuçi në ditë këtë vit, 0.1 milion fuçi në ditë më pak nga parashikimi i tij i mëparshëm, bën të ditur “Xinhua”. Aleanca ia atribuon projeksionin më të dobët të kërkesës pasigurive të vazhdueshme gjeopolitike dhe aktiviteteve më të dobëta ekonomike.

Për vitin e ardhshëm, OPEC ka ulur gjithashtu parashikimet e tij për kërkesën botërore të naftës me 0.1 milion fuçi në ditë në 101.8 milionë fuçi në ditë, duke thënë se parashikon që rritja e kërkesës për naftë do të sfidohet nga pasiguritë që lidhen me aktivitetet ekonomike, masat e kontrollit të Covid-19 dhe zhvillimet gjeopolitike.

Muajin e kaluar, OPEC dhe aleatët e tij, një grup i njohur si OPEC+, njoftuan një ulje të madhe të prodhimit prej 2 milionë fuçi në ditë për të rritur çmimet e naftës. (Elona)