Foto nga VCG
E ndaluara për shpërthimin vdekjeprurës në Stamboll të Turqisë pranoi autorësinë e sulmit me bombë, që i mori jetën 6 personave dhe plagosi dhjetëra të tjerë, njoftuan autoritetet turke, shkruan “Xinhua”.
Departamenti i Policisë së Stambollit njoftoi në një deklaratë se e dyshuara ishte një shtetase siriane e quajtur Ahlam Albashir. Ajo rrëfeu se e kishte marrë urdhrin e sulmit nga Partia e jashtëligjshme e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe pasardhësit e saj në Siri, Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG).
PKK/YPG janë të dy të listuara si organizata terroriste nga Turqia.
Sipas policisë, e ndalaura tha se ajo ishte trajnuar si oficere speciale e inteligjencës nga organizatat terroriste dhe kishte hyrë ilegalisht në Turqi përmes Sirisë me planin e sulmit.
Të dielën, një shpërthim ndodhi në rrugën e populluar “Istiklal” në anën evropiane të Stambollit, duke i marrë jetën 6 personave dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.
Agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu” bëri të ditur se janë ndaluar 46 të dyshuar, përfshirë sulmuesen, në operacionet policore të kryera në 21 adresa në Stamboll.
Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu, deklaroi se nuk mund të pranojnë ngushëllimet e Ambasadës Amerikane për shpërthimin vdekjeprurës. Turqia ka fajësuar prej kohësh SHBA-në për ndihmën dhe mbështetjen e PKK-së dhe YPG-së.
Pas shpërthimit, Ambasada e SHBA-së në Turqi dënoi fuqishëm aktin e dhunës në Stamboll, duke përcjellë ngushëllime për ata që humbën të dashurit në sulm. (Fatosi)