Të gjithë sytë mbi Kinën për Samitin 2022 të G20 në Bali të Indonezisë
2022-11-13 22:41:17

Në vijim të një veprimtarie intensive brenda dhe jashtë vendit pas Kongresit të suksesshëm historik të 20-të të Partisë Komuniste të Kinës (PKK), Presidenti Xi Jinping është ftuar nga homologu indonezian Joko Widodo për të marrë pjesë në samitin e 17-të të ‘Grupit të 20 Vendeve’ (G20), që do të zhvillohet në Bali të Indonezisë nga 14 deri më 17 nëntor.

Vendet anëtare të G20-tës, i cili është formuar në vitin 1999, janë Kina, Argjentina, Australia, Brazili, Kanadaja, Franca, Gjermania, India, Indonezia, Italia, Japonia, Republika e Koresë, Meksika, Rusia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Turqia, Britania e Madhe, SHBA dhe Bashkimi Evropian, dhe platforma e këtij institucioni është përpjekja për të diskutuar e ofruar zgjidhje mbi politikat që janë të dobishme për kapërcimin e krizave globale ekonomike dhe financiare. Në parim, vendet anëtare që përfaqësojnë të gjitha kontinentet e banuara, 80% të GDP-së botërore, 75% të tregtisë globale dhe 60% të popullsisë së botës, pranojnë se prosperiteti global dhe mundësitë dhe sfidat ekonomike janë të ndërlidhura.

Flamurë të anëtarëve të G20-t (Foto:VCG)

Flamurë të anëtarëve të G20-t (Foto:VCG)

Dhe konkretisht moto e takimit të këtij viti të G20-tës është "Rimëkëmbje e përbashkët, rimëkëmbje më e forte!" dhe tingëllon kuptimplotë si mesazh për tërë njerëzimin për faktin se samiti zhvillohet në sfondin e një krize të shfrenuar globale, që kërcënon me inflacion galopant dhe rrezik të një recesioni në mbarë botën, në vendet e zhvilluara dhe në zhvillim. Prandaj pritshmëritë e popujve, veçanërisht të vendeve në zhvillim, janë të mëdha që përfaqësuesit më të lartë të këtij mekanizmi në radhë të parë të gjejnë gjuhën e përbashkët për arritjen e globalizmit ekonomik, përmirësimin e qeverisjes ekonomike globale dhe nxitjen e kthimit të ekonomisë botërore në gjendjen normale, çka kërkon shumë përpjekje, por mbi të gjitha mirëkuptim në vend të antagonizmit, hapje në vend të proteksionizmit, solidaritet në vend të hegjemonizmit.  

Kësisoj në një kontekst global të karakterizuar nga konfrontimet në rritje midis fuqive të mëdha gjeopolitike, kryesisht të SHBA-së me pjesën më të madhe të botës, samiti i vitit 2022 mund të paraqesë një mundësi për të treguar se sa të përkushtuar dhe të sinqertë janë vendet pjesëmarrëse ndaj bashkëpunimit shumëpalësh për të përballuar sfidat aktuale politike dhe ekonomike të papara që nga Lufta e Dytë Botërore.  Megjithatë shumë analistë shpejtojnë të shprehen se kjo do të jetë e vështirë të arrihet për shkak të qëndrimit obstruksionist të SHBA-së dhe të disa vendeve perëndimore pasuese të kësaj fuqie që pretendon akoma kreun e ‘tryezës’ botërore dhe që nuk heqin dorë nga politikat e tyre hegjemoniste duke kundërshtuar përpjekjet e pjesës dërmuese të komunitetit botëror për globalizëm real në të gjitha aspektet e tij, veçanërisht atë ekonomik. Akoma në Uashington ka qarqe politike, ekonomike e sociale, në fakt e tërë elita amerikane, që i shikojnë institucione të tilla shumëpalëshe si domene të tyre ku më parë bënin ligjin, gjë që ka ndryshuar plotësisht me rritjen ekonomike dhe politike të disa vendeve të mëdha në zhvillim, veçanërisht të Kinës, që tashmë është fuqia e dytë më e madhe ekonomike në botë dhe parashikimet flasin për shndërrimin e saj në fuqinë më të madhe ekonomike ne një kohë të afërt.

Kjo është ndër arsyet që për Kinën samiti i Balit është një mundësi tjetër për të riafirmuar mbështetjen e saj jashtëzakonisht të fortë ndaj multilateralizmit, i cili shikohet si alternativa e vetme efikase për të kapërcyer krizën globale, që ka goditur të gjithë botën, por duke mos lënë asnjë vend prapa. Prandaj e përsëris se merr kuptim tema e këtij samiti - "Rimëkëmbje e përbashkët, rimëkëmbje më e forte!" që u drejtohet të gjithë vendeve pjesëmarrëse si mesazh për veprim në përputhje me interesat e tyre por edhe të gjithë popujve. 

Në këtë kontekst, Kina i përmbahet qëndrimit të saj konsekuent se G20, forumi kryesor për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar, duhet të forcojë solidaritetin dhe bashkëpunimin, të koordinojë politikat makroekonomike dhe të gjithë vendet e përfaqësuara në këtë institucion të punojnë bashkërisht për një rritje të fortë, të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të balancuar të ekonomisë botërore.

Indonezi në prag të samitit të G20-t(Foto:Xinhua)

Kina e ka mbështetur Indonezinë në platformën e paraqitur prej saj në kuadrin e samitit, dhe me pak fjalë sipas njoftimeve te shtypit ndërkombëtar, tematika e programit është përqendruar në tre shtylla të ndërlidhura, përkatësisht arkitekturën globale të shëndetit, tranzicionin e qëndrueshëm të energjisë dhe transformimin digjital për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme duke nxitur inovacionin digjital.

Duke u udhëhequr nga tema aktuale e agjendës së samitit ne Bali për rimëkëmbje së bashku, koncepti i Kinës lidhur me komunitetin me fate të përbashkëta të njerëzimit merr vlerë që të gjithë vendet të kontribuojnë për promovimin e rimëkëmbjes ekonomike globale dhe çtensionimin e situatës politike në botë si domosdoshmëri parësore për një atmosferë paqësore.

Nuk ka zhvillim global nën kërcënime e shantazhe! Në këtë prizëm kur Kina ofron të kundërtën, që përmblidhet ne kornizën e gjetjes së gjuhës së përbashkët jashtë hegjemonizmit për të shpëtuar njerëzimin nga kriza globale që ka trokitur në prag të të gjithë vendeve, pjesëmarrja e udhëheqësit kinez Xi Jinping në çdo event dypalësh apo shumëpalësh është vënë në fokus të vëmendjes e shoqëruar me analiza e komente të ndryshme që një gjë kanë të përbashkët: çfarë do të ofrojë gjë të re Kina kur dihet se në situata të rënda të ekonomisë botërore ajo ka qenë kontribuuese e sinqertë dhe konstruktive me vepra dhe tani me propozime konkrete për shpëtim.

E konkretisht ky vend i madh me një popullsi prej më shumë se 1.4 miliard banorësh i përmbahet zbatimit të Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm të OKB-së, dhe është bërë shembull i seriozitetit dhe përkushtimit për realizimin e objektivave të saj. E jo rastësisht udhëheqja kineze e dha provën aq humane e historike duke u bërë vendi i parë që realizoi objektivin jetik që lidhet me popullin: çrrënjosjen e varfërisë ekstreme ne Kinë 10 vjet para afatit të përcaktuar në Agjendën 2030 të OKB-së.

Nga ana tjetër për samitin e Balit më duket se është shumë aktuale për shqyrtim nga vendet pjesëmarrëse Iniciativa për Zhvillim Global (GDI), e cila u propozua nga Presidenti Xi Jinping gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në vitin 2021, dhe thelbi i saj qëndron në synimin për ndërtimin e një komuniteti global të zhvillimit. Kjo iniciativë është konkrete dhe aktuale se i jep përparësi zhvillimit, i vendos njerëzit në qendër dhe kërkon të përshpejtojë zbatimin e Agjendës 2030 të OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm. Ka vlerë të nënvizohet se më shumë se 100 vende dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, kanë mbështetur GDI-në dhe më shumë se 60 vende i janë bashkuar Grupit të Miqve të Iniciativës për Zhvillim Global vitin e kaluar.

Takim i ministrave të Financave të G20-t(Foto:VCG)

Takim i ministrave të Financave të G20-t(Foto:VCG)

Më 20 shtator 2022, Këshilltari Shtetëror dhe Ministri i Jashtëm Wang Yi kryesoi Takimin Ministror të Grupit të Miqve të Iniciativës për Zhvillim Global në Nju Jork ku ai ishte në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Wang Yi u shpreh me atë rast se kauza e zhvillimit global është në një pikë kritike tani dhe sipas tij rimëkëmbja ekonomike globale po bëhet më e vështirë në çdo moment dhe vendet në zhvillim përballen me sfida të rënda në realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030. “Sa më të vështira të bëhen gjërat, aq më shumë duhet të punojmë së bashku. Në qershor të këtij viti, presidenti Xi Jinping kryesoi Dialogun e Nivelit të Lartë mbi Zhvillimin Global, njoftoi 32 masat e rëndësishme të Kinës për zbatimin e GDI-së, ndihmoi për të rikthyer zhvillimin në qendër të agjendës ndërkombëtare së bashku me liderët e vendeve të tjera dhe konfirmoi përkushtimin për krijimin e një partneriteti të zhvillimit global të bashkuar, të barabartë, të balancuar dhe gjithëpërfshirës, duke injektuar një shtysë të fortë në zbatimin e përshpejtuar të Agjendës 2030,” tha shefi i diplomacisë kineze në Takimin Ministror të Grupit të Miqve të Iniciativës për Zhvillim Global në Nju Jork në shtator të këtij viti.

Pra ka një përputhje të plotë të motos "Rimëkëmbje e përbashkët, rimëkëmbje më e forte!” me Iniciativën për Zhvillim Global, e cila, sipas njoftimeve, ka mbështetjen edhe të disa vendeve pjesëmarrëse në samitin e Balit.

Nga ana tjetër, Kina paraqitet në këtë samit në këto kohë kritike që kërkojnë zgjidhje urgjente në shumë aspekte jetike me një shembull të ri konkret të vlerës së konkretizimit të platformës lidhur me produktet publike globale, që janë në të mirë të zhvillimit të gjithë botës. E kam fjalën për çfarë prodhoi Ekspozita e Pestë Ndërkombëtare e Importit e Kinës (CIIE), që u mbyll më 9 nëntor në Shangai.

Duke folur me gjuhën e shifrave një koment i CMG-së zbulonte se vëllimi i kontratave të nënshkruara me afat njëvjeçar gjatë ekspozitës arriti në 73.52 miliardë dollarë amerikanë, 3.9 % më shumë se herën e kaluar! Sipas të dhënave zyrtare, në CIIE-n e këtij viti morën pjesë 145 vende, rajone dhe organizata ndërkombëtare dhe mbi 2800 ndërmarrje nga 127 vende e rajone ekspozuan për herë të parë 438 produkte, teknologji e shërbime të reja. Me arritjet e veta të suksesshme, CIIE-ja tregoi edhe një herë që ajo është bërë një dritare e Kinës për krijimin e modelit të ri të zhvillimit, një platformë për nxitjen e hapjes së nivelit të lartë dhe një produkt publik global nga i cili përfiton e gjithë bota, thekson komenti i lartëpërmendur.

Duhet përmendur se Kina ka një treg me përmasa gjigande dhe është partnerja kryesore tregtare e 140 vendeve e rajoneve të botës, ndërsa për pesë vjet me radhë është vendi me volumin më të madh të tregtisë së mallrave në botë. Në CIIE 2022, Kina u shpreh që do të nxisë ndarjen e përbashkët të mundësive që ofron tregu i vet gjigand dhe  hapja e saj institucionale dhe thellimi i bashkëpunimit ndërkombëtar. Me këtë platformë, më shumë palë "mund të ngjiten në trenin e shpejtë" të zhvillimit të Kinës, veçanërisht vendet më pak të zhvilluara. Kështu ndërmarrjeve nga afro 30 vende më pak të zhvilluara iu ofruan pavijone falas dhe numri i tyre u dyfishua krahasuar me vitin e kaluar në CIIE 2022.

Qoftë ndërmarrjet e teknologjisë së lartë, qoftë ato të mallrave të vogla, kanë gjetur mundësi për futjen në tregun kinez nëpërmjet CIIE-së, duke eksploruar një hapësirë të re bashkëpunimi dhe zhvillimi. Ky është një shembull i gjallë që Kina nxit ndërtimin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit dhe është një provë e fortë që shkëputja dhe ndërprerja nuk funksionojnë dhe se hapja e bashkëpunimi janë rruga e drejtë, thekson komenti i CMG-së.

Indonezi në prag të samitit të G20-t(Foto:Xinhua)

Indonezi në prag të samitit të G20-t(Foto:Xinhua)

"Pavarësisht nga pasiguria e mjedisit të jashtëm, CIIE po mbahet jashtë linje siç është planifikuar. Është kjo lloj sigurie që i jep botës edhe më shumë besim në këmbënguljen dhe vendosmërinë e Kinës për t'u rritur me partnerët e saj globalë", tha Pietro Brambilla, shefi financiar i L'Oreal për Azinë Veriore dhe Kinën. “Duke parë gjatë pesë viteve të fundit, mund të themi se CIIE ka sjellë përfitime të mëdha përtej kufijve të Kinës, duke i lejuar kompanitë të përjetojnë fitime solide dhe të gëzojnë përparim të jashtëzakonshëm,” tha ai.

Një ngjarje tjetër në linjën e krijimit të bashkësinë me fate të përbashkëta ishte Forumi i  Ekonomisë Digjitale që u organizua më 9 nëntor në kuadër të Samitit të Wuzhen-it të Konferencës Botërore të Internetit për vitin 2022. Në këtë forum, përfaqësues të qeverive, organizatave e institucioneve përkatëse, të kompanive të internetit dhe të qarqeve universitare kineze e të huaja zhvilluan diskutime e shkëmbime mendimesh rreth zhvillimit të ri të ekonomisë digjitale.

Por një aspekt i rëndësishëm i saj ishte se gjatë forumit u bë publikimi i artikujve nga institutet globale të studimit të politikave me titull "Vizioni i përbashkët i botës digjitale - Institutet globale të studimit të politikave krijojnë bashkësinë me fate të përbashkëta të hapësirës kibernetike", si edhe u shpall fillimi i edicionit të parë të Konkursit të Inovacionit të Burimeve të Hapura të Kinës për vitin 2022. 

Në kontrast me çfarë i ofron Kina njerëzimit - platformë reale të rimëkëmbjes globale, nga vendet perëndimore të paktën deri më tani nuk ka njoftime për ndonjë propozim apo skemë gjithëpërfshirëse për ndalimin e rënies së lirë të ekonomisë botërore aq më pak për rimëkëmbjen e saj.

Duke ndjekur zhvillimet në këtë aspekt vërehet se vëmendja e tyre është e përqendruar tek vendet e veta ose grup vendesh ku janë të inkuadruar dhe kjo vihet re më shumë lidhur më krizën energjetike. E alarmi edhe këto ditë jepej në shumë kryeqytete perëndimore për rrezikun e recesionit. Arsyet janë të shumta për këtë qëndrim pasiv dhe kjo është ndoshta temë në vete për analizë, por më kryesorja është, sipas mendimit tim, se asnjë vend, përfshi edhe SHBA, nuk kanë më potencialin dhe kapacitet për ti bërë ballë realizimit konkret të iniciativave të tilla gjigande si për shembull ‘Një brez, një rrugë’ apo të mekanizmit të Bashkëpunimit Kinë-CEEC. Kurse me vepra konkrete, jo me fjalë premtuese, Kina i ka këto potenciale, po i shumëfishon, por edhe po i vë në dispozicion të komunitetit ndërkombëtar në këto kohë të vështira.

Një moment i rëndësishëm i veprimtarisë së Presidentit kinez Xi Jinping në samitin e Balit do të jetë takimi tashmë i konfirmuar me kreun e shtetit amerikan Joe Biden në marxhinat e eventit. Për të qenë sa më aktual se cilat janë pritshmëritë rreth këtij takimi dhe çfarë lloj çështjesh mund të jenë në rendin e ditës po përfshij përgjigjen e zëdhënësit të MPJ-së Zhao Lijian ndaj një pyetje në një konferencë shtypi më 11 nëntor pak ditë para samitit. Sipas tij, Kina e sheh zhvillimin e marrëdhënieve të saj me SHBA-në në përputhje me tre parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit të favorshëm siç propozohet nga Presidenti Xi Jinping dhe bën thirrje për përcaktimin e rrugës së duhur përpara për marrëdhëniet dypalëshe. Nga ana tjetër, Lijijan deklaroi se në të njëjtën kohë, Kina do të mbrojë me vendosmëri sovranitetin, sigurinë dhe interesat e saj të zhvillimit.

“Është e rëndësishme që SHBA-ja të punojë së bashku me Kinën për të menaxhuar siç duhet dallimet, për të avancuar bashkëpunimin me përfitim reciprok, për të shmangur keqkuptimet dhe llogaritjet e gabuara dhe për të rikthyer marrëdhëniet Kinë-SHBA në rrugën e duhur të zhvillimit të shëndoshë dhe të qëndrueshëm”, ai tha, duke shtuar se rritja e qëndrueshme e marrëdhënieve Kinë-SHBA u shërben interesave të të dyja palëve dhe përmbush pritshmëritë e botës.

“Shpresojmë që SHBA-të të punojnë me Kinën në frymën e respektit të ndërsjellë dhe të luajnë një rol të përgjegjshëm në ruajtjen e stabilitetit dhe zhvillimit botëror”, theksoi Lijian.

Veç pjesëmarrjes në samitin e Balit, njoftimi zyrtar i Ministrisë së Jashtme kineze bën të ditur se në kuadrin e këtij turi presidenti Xi do të marrë pjesë gjithashtu në Mbledhjen e 29-të të Udhëheqësve Ekonomikë të APEC-ut në Bangkok të Tajlandës dhe do të bëjë një vizitë në këtë vend nga 17 deri më 19 nëntor me ftesë të kryeministrit të Tajlandës Prayut Chan-o-cha. Duhet theksuar se gjatë periudhës së zhvillimit të samitit të G20-s dhe mbledhjes së udhëheqësve ekonomikë të APEC-ut, Presidenti Xi do të ketë ndër të tjera edhe takime dypalëshe me presidentin francez Emmanuel Macron, presidentin senegalez Macky Sall dhe presidentin argjentinas Alberto Fernandez.