Projekti “Kina audiovizive hyn në Europë” startoi në Paris
2022-11-11 09:50:32

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Projekti “Kina audiovizuale hyn në Europë”, që promovon bashkëpunimin midis institucioneve audiovizive kineze dhe europiane, u lançua të martën mbrëma në Qendrën Kulturore të Kinës në Paris.

Në kuadër të projektit, për një muaj do të transmetohen rreth 150 orë vepra audiovizuale me cilësi të lartë në pesë vende, përfshirë Francën, përcjell “Xinhua”.

Sipas organizatorëve, projekti lejon transmetimin reciprok të programeve dhe shkëmbimin e burimeve, dhe synon t'u mundësojë edhe më shumë europianëve të zbulojnë thelbin bashkëkohor të kulturës kineze dhe të nxisë komunikimin midis popujve kinezë dhe europianë.

Yan Chengsheng, drejtor i Departamentit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Administratës Kombëtare të Radios dhe Televizionit të Kinës (NRTA), deklaroi në këtë event se Kina dhe vendet europiane kanë prejardhje të ndryshme historike dhe kulturore, por ndjekja e vlerave të përbashkëta dhe aspirata për një jetë më të mirë janë të ngjashme.

Shen Jun, kryetar i Bordit të Drejtorëve të “Shanghai Media Group”, tha se transmetimi i veprave audiovizuale të njëri-tjetrit do të forcojë bashkëpunimin praktik dypalësh midis Kinës dhe Europës në fushën audiovizive, si dhe njohuritë reciproke dhe miqësinë midis popujve.

Gjatë ceremonisë u shfaq dokumentari “Kina në lëvizje”, i cili fokusohet në sistemin politik të Kinës, ekonominë, inovacionin shkencor, ekologjinë dhe mirëqenien e popullit kinez.

Didier Bernheim, anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve të Bukura, Instituti i Francës, deklaroi për “Xinhua” se Kina ka bërë përpjekje të mëdha në tranzicionin ekologjik dhe zhvillimin e gjelbër. (Irma)