Veriu i Italisë shënon tetorin më të nxehtë që nga viti 1800
2022-11-10 11:54:08

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në shumë zona në veri të Italisë është regjistruar tetori më i nxehtë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1800, bëri të ditur Këshilli Kombëtar i Kërkimeve të Italisë.

Sipas Këshillit, cituar nga “Xinhua”, temperaturat arritën 3.18 gradë Celsius mbi nivelet normale në pjesën veriore të vendit.

Megjithatë, në Itali në tërësi, temperaturat ishin të larta, por jo rekord. Këshilli bëri të ditur se ato ishin 2.08 gradë Celsius më të larta se normalja, rritja e dytë më e lartë në krahasim me nivelet normale, pak pas rekordit prej 2.13 gradë Celsius të arritur në vitin 2001.

Përveç temperaturave të larta, pjesa më e madhe e vendit ka vuajtur edhe nga mungesa e reshjeve të shiut dhe një rritje e ngjarjeve ekstreme të motit, duke përfshirë stuhitë, përmbytjet dhe erërat e forta.

Temperaturat e larta rekord në tetor pasuan një valë të gjatë dhe jashtëzakonisht të thatë në Itali në muajt e verës, e cila rezultoi në qindra viktima dhe uli prodhimin bujqësor.

Sipas raporteve të mëparshme nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, ky vit është në rrugën e duhur për të qenë më i nxehti i regjistruar ndonjëherë në nivel kombëtar. (Elona)