Vendeve të zhvilluara u kërkohet të respektojnë premtimin e klimës
2022-11-09 13:10:54


Foto: VCG

Në kuadër të Konferencës së Klimës që po zhvillohet në Egjipt, Afrika e Jugut kërkon nga vendet e zhvilluara të respektojnë premtimin për financimin e ndryshimeve klimaterike. Autoritetet afrikano-jugore thonë se angazhimi i bërë në Paris ende nuk është përmbushur për mbledhjen e 100 miliardë dollarëve në vit. Ata propozojnë që të ketë një fond për vendet në zhvillim që të kërkojnë para kur përjetojnë fatkeqësi si rezultat i ndryshimeve klimaterike.

Afrika e Jugut është zotuar të negociojë për balancimin e financimit për përshtatjen dhe zbutjen dhe të kërkojë që vendet e zhvilluara të respektojnë premtimin për financimin e ndryshimeve klimaterike në Konferencën e 27-të të Palëve për Ndryshimet Klimaterike të Kombeve të Bashkuara, ose COP 27, në Sharm El Sheikh, në Egjipt.

Barbara Creecy, ministrja e Pyjeve, Peshkimit dhe Mjedisit të Afrikës së Jugut, tha se vendet e zhvilluara kanë qenë përgjegjëse për emetimet e gazeve serrë për më shumë se 200 vjet, ndërsa vendet afrikane që janë më të prekura nga ndryshimet klimaterike kanë kontribuar më pak se 4 për qind në emetimet e akumuluara të gazeve serrë.

“Sipas vlerësimeve të fundit, vendet afrikane kërkojnë mbi 440 miliardë dollarë për 10 vitet e ardhshme për zbutjen e situatës dhe përshtatjen. Ne mendojmë se është e rëndësishme në afat të shkurtër që vendet e zhvilluara të respektojnë angazhimet që kanë marrë për financimin e klimës. E dimë se angazhimi i bërë në Paris ende nuk është përmbushur për mbledhjen e 100 miliardë dollarëve në vit.

Ne mendojmë se për të krijuar besim midis vendeve në zhvillim dhe atyre të zhvilluara do të ishte shumë e rëndësishme që premtimet të respektohen”,- tha Creecy për “China Daily”.

Sipas saj, vendet afrikane kanë burime të kufizuara, po merren me shumicën e borxhit të rëndë dhe nuk duhet të huazojnë para për të trajtuar efektet e ndryshimit të klimës që do të rriste borxhin e tyre. “Duhet të ketë një fond për vendet në zhvillim që të kërkojnë para kur përjetojnë fatkeqësi si rezultat i ndryshimeve klimaterike”,- tha Creecy.

Ajo kërkoi siguri se ka objektiva të rinj financiarë pas vitit 2025 dhe që ato të përmbushen. Sipas saj, duhet të jetë një shifër e parashikueshme dhe e disponueshme.

“Ne duam të sigurohemi që vendet e zhvilluara përgjegjëse për emetimet historike të gazeve serrë mos të refuzojnë angazhimin e financimit të klimës që ata bënë në COP26. Ne duam të sigurohemi që ata mos të përpiqen të shtyjnë përgjegjësinë për angazhimet klimaterike ndaj vendeve në zhvillim. Shpresoj të marrim marrëveshjen më të mirë për popullin, vendin dhe njerëzimin”,- tha ministrja afrikane.

Creecy theksoi se duhet të ketë një ekuilibër në financimin për përshtatjen dhe zbutjen. Vendet në zhvillim duhet të respektojnë angazhimet e klimës, sipas saj, në mënyrë që komunitetet dhe sektorët e cenueshëm të ekonomisë mos të mbeten prapa dhe konflikti i drejtësisë klimaterike brenda Veriut dhe Jugut global duhet të kuptohet, financohet, të përfshihet dhe të integrohet në Konventën Kuadër të OKB-së për Ndryshimet Klimaterike.

Shpresa e shprehur

Crispian Olver, drejtor ekzekutiv i Komisionit Presidencial të Klimës në Afrikën e Jugut, tha se po pret me padurim se çdo të dalë nga COP27. Ai përshëndeti pozicionin negociues të qeverisë në këtë konferencë, për të cilin tha se është në përputhje me pritshmëritë e shumë aktorëve të Afrikës së Jugut.

“Ne duam që të zbatohet qëllimi global për përshtatjen. Ekziston një objektiv, 50 për qind elasticitet deri në vitin 2030 dhe 90 për qind deri në vitin 2050. Jemi të kënaqur që qeveria e Afrikës së Jugut po avancon drejt përshtatjes, për ta përfshirë në arkitekturën globale. Më e rëndësishmja për ne është të promovojmë nocionin e një tranzicioni të drejtë. Vendet e zhvilluara në Veri që janë përgjegjëse kryesore për krizën klimaterike duhet të bëjnë hapa përpara dhe të përmbushin zotimin prej 100 miliardë dollarësh në vit për financimin e klimës dhe ato nuk kanë qenë të disponueshëm. Në fakt, nevojat janë shumë më të larta se kaq”,- tha Olver.