Ada Mehmeti: Nëse i besoni vete
2022-11-08 10:00:27

Ada Mehmeti, është psikologe klinike e diplomuar pranë Fakultetit te Shkencave Sociale Tiranë. Më pas u specializua si psikoterapiste në “Cognitive-Behavioral Therapy nga AACBT” (Australian Association for Cognitive and Behaviour Therapy) Prej vitit 2018, ajo është  psikologe klinike pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë. Me pervojë të gjatë pune me fëmijë, adoleshentë, të rritur, familje dhe çifte psikologe Ada Mehmeti  trajton një gamë të gjerë çështjesh të lidhura me shëndetin mendor, si : ankthin, traumën, abuzimin, depresionin, problemet në çift, autizmin, ADHD, OCD dhe problemet e sjelljes.

“Do ta përshkruaja qasjen time si empatike, të orientuar drejt qëllimit dhe me në qendër klientin. Besoj fuqishëm në rëndësinë e krjimit të marrëdhënies terapeutike të shëndetshme dhe të besueshme me të gjithë klientët e mi”, shprehet ajo për “Grupin Mediatik të Kinës”

CMG: Ada kush je ti kur askush nuk është duke të parë ?

Ada Mehmeti: Këtë pyetje unë ia bëj shumë shpesh vetes dhe më rezulton gjithmonë që të shoh tek vetja një fëmijë të vogël,  i cili e do shumë jetën në sinqeritetin e vet. Nga ana tjetër unë shoh një “Ada”, e cila ka marrë mbi supe përgjegjësitë prej një të rriture dhe këtë pjekuri e manifeston çdo ditë.
CMG: Si u fute në rrugëtimin e të qenit psikologe?

Ada Mehmeti: Në jetë gjërat ndodhin sepse janë të destinuara për të ndodhur. Kujtoj që nëna ime përherë ka projektuar që motra ime të ishte psikologe e meqë ajo nuk arriti dot të ishte, unë insistova t’i plotësoj ëndrrën e saj të flaktë. A jam unë e lumtur? Jam tepër tepër e lumtur sepse në këtë formë unë përmbusha një ëndër të sajën dhe i hapa kaq shumë dritare vetes sime.

CMG: Je krenare për veten ?

Ada Mehmeti: Parë nga këndëvështrimi njerëzor unë jam shumë krenare .
Ëndrrat që kam pasur kam arritur që t'i kem në lëvizje dhe jeta ime ka qenë një udhëtim me destinacion të përcaktuar. E shoh se si janë marrëdhëniet mes meje dhe të tjerëve apo se sa të tjerët më pranojnë dhe duan. Fitorja me e madhe në jetë është të kesh dashurinë e të tjerëve edhe respektin. Jam absolutisht shumë krenare sepse unë nga jeta kam fituar aspektin njerëzor.

CMG: A keni një kuti kujtimesh?

Ada Mehmeti: Kam një seri kujtimesh të stivuara dhe vendosura për shumë gjatë në kujtesën time . Fatmirësisht prindërit më rriten me shumë dashuri, gjë që më ka ndihmuar të ruaj kujtime të shtrenjta.

Nëse një ditë do ulesha dhe do hapja kutinë time të kujtimeve prej saj do dilnin vetëm çaste të bukura nga jeta ime.

CMG: Ada çfarë është durimi për ty ?

Ada Mehmeti: Është një pritje e bukur, e cila gdhendet ndër vite. Është një tipar sa i lindur aq edhe i mësuar . Nuk kam lindur e duruar, por rrugës kam ndryshuar. Pjekuria matet me vite dhe vitet janë shumë të shtrenjta.

CMG: Ju luftoni për të arritur shkallë në karrierë ?

Ada Mehmeti: Unë në jetë kam pasur parimin që nuk luftoj për të pasur diçka, thjesht përkushtohem. Çdo njeri nëse përkushtohet arrin që të ngjisë shkallë të qëndrueshme në karrierë .

CMG: Cilet njerëz në jetën tuaj ju kanë qëndruar pranë për t'iu treguar mbështetjen e tyre ?

Ada Mehmeti : Do ta quaja veten me fat në këtë aspekt. Kam pasur gjithmonë një derë ku mund të trokas për t'u ankuar apo për të gëzuar fitore.
Prindërit dhe motrat janë udhëtarët e jetës sime tek të cilat unë gjithmonë gjeta mbështetje.
CMG: Ju si psikologe si mendoni,  cila është vlera që po humb më tepër sot në shoqëri?
Ada Mehmeti : Sot për sot ajo që është duke humbur në shoqëri është vlera e të qenit origjinal. Nuk po shohim njerëz autentikë që të vlerësojnë veten e tyre në formën se si janë dhe se si duken. Është tepër e rëndësishme të jemi ata që kemi punuar për të qenë dhe mos ndryshojmë në shoqëri për asgjë .

CMG: Cilat janë problemet e fëmijëve dhe të rinjve sot ?

Ada Mehmeti: Nëse do t'i referohemi studimeve apo asaj që ekspozohet më tepër është fakti që të gjithë jo vetëm të rinjtë janë të ekspozuar ndaj bombardimit me informacionet e gabuara apo edhe shembuj të gabuar. Shoqëria ka nevojë të ndajë vlerën nga antivlera dhe këtë gjë duhet ta bëjë menjëherë. Sot që flasim ka shumë çrregullime për të cilat ne psikologët flasim gjatë. Kemi punë të gjatë për të bërë pasi 970 milion njerëz në gjithë botën kanë një çrregullim të shëndetit mendor edhe të abuzimit me substanca. Edhe në vendin tonë ka shumë probleme të këtij lloji.
Ajo që ne veme re është që të gjithë të rinjtë apo ata që kane një problem të caktuar nuk vijnë në kohën e duhur për t'u trajtuar dhe kur vijnë më pas është shumë vonë.
CMG: Si do ishte bota me e bukur dhe më e shëndetshme?

Ada Mehmeti: Bota do ishte më e bukur nëse do ishte me e shëndetshme dhe do ishte me e shëndetshme nëse kujdesemi për veten . Nëse ne kujdesemi për veten kujdesemi dhe për tjetrin dhe kështu edhe për komunitetin.

Intervistoi:Megi Latifi