Të gjithë e duan Kinën vetëm për vete
2022-11-08 17:18:30

Në më pak se 12 orë, aq sa zgjati vizita e kancelarit gjerman në Kinë, vendet më të fuqishme në botë nuk mundën ta fshehin xhelozinë. Përmes dhjetëra shkrimeve, të publikuara në ShBA, por sidomos në Evropë, vërshuan një lum kritikash ndaj Gjermanisë me akuzën se po bënte me Kinën të njëjtin gabim si dikur me Rusinë. Por midis rreshtave nuk është aspak e vështirë të kuptosh se “varësia ekonomike ndaj Kinës”, “të drejtat e njeriut”, apo edhe “Tajvani”, nuk janë problemi kryesor i kësaj dashurie dhe urrejtjeje të njëkohshme, e cila përkthehet vetëm në xhelozi. Sepse të gjithë e duan Kinën vetëm për vete... Dhe ja përse.

Presidenti kinez Xi Jinping takohet me kancelarin gjerman Olaf Scholz(Foto:Xinhua)

Presidenti kinez Xi Jinping takohet me kancelarin gjerman Olaf Scholz(Foto:Xinhua)

Vizita e kancelarit Olaf Scholz në Kinë mund të kishte qenë edhe më pak e “kritikuar” nëse së bashku me të në Pekin do të udhëtonte edhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Burime nga qeveria franceze thanë për agjencinë Reuters se Macron i kishte sugjeruar Scholz që të udhëtonin së bashku, për të treguar se Evropa është e bashkuar në politikat e saj ndaj gjigandit aziatik. Por nuk është e vështirë të kuptohet se veç e veç Gjermania dhe Franca kanë interesat e tyre me Kinën, të cilat nuk duan t’i ndajnë me askënd, por edhe me njëra-tjetrën. Udhëtimi i kancelarit gjerman në Kinë, edhe pse i paralajmëruar, po “dënohet” vetëm se ishte “i pakoordinuar” me të tjerët në BE. Madje presidenti francez, Emmanuel Macron, së fundmi paralajmëroi Scholzin se ai rrezikonte të izolohej. Por vetë kreu i shtetit francez as e kishte pyetur fare ish-kancelaren gjermane Angela Merkel kur në vitin 2019 nënshkruante me të një marrëveshje prej 30 miliardë dollarësh për blerjen e 300 avionëve Airbus.    

Presidenti kinez Xi Jinping takohet me kancelarin gjerman Olaf Scholz(Foto:Xinhua)

Presidenti kinez Xi Jinping takohet me kancelarin gjerman Olaf Scholz(Foto:Xinhua)

      Duket qartë se “gabimi” i vetëm i Scholz është se mbërriti para të tjerëve në Kinë.  Vetë Pekini zyrtar nuk ka bërë asnjë dallim, madje është treguar shumë i interesuar në ndërtimin e marrëdhënieve më të ngushta me vendet evropiane. Sipas mediave kineze, krerët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Spanjës ishin ftuar të takohen me presidentin Xi Jinping që në muajin korrik. Por Scholz vrapoi pari, edhe pse për shkak të kushteve rigoroze kundër Covid 19 në Kinë, iu desh të priste në një rezidencë pranë aeroportit derisa të dilnin testet negative. Nuk duhet harruar se Olaf Scholz nuk është vetëm kreu i parë i një qeverie perëndimore që udhëton në Pekin me një delegacion biznesi, as lideri i parë mes vendeve të G7-ës, as i pari udhëheqës perëndimor që takon presidentin Xi pas Kongresit të 20-të të PKK-së... Pikë së pari ai është kreu i vendit që partnerin më të madh tregtar ka pikërisht Kinën.

Foto:VCG

Foto:VCG

Më shumë se një milion vende pune gjermane varen nga kjo marrëdhënie. Shembull është gjiganti i makinave, Daimler, i cili shet më shumë se një të tretën e automjeteve të tij në Kinë. Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti, bizneset gjermane investuan në Kinë më shumë se kurrë më parë. Kompania kimike, BASF, sapo ka hapur një fabrikë të re në Kinën Jugore dhe pret të investojë 10 miliardë euro deri në fund të kësaj dekade. Rreth dy të tretat e rritjes së BASF pritet të vijë nga Kina. Industria gjermane e automjeteve po investon gjithashtu shumë në Kinë. 40 për qind e të gjitha makinave Volkswagen shiten në Kinë. Madje kjo kompani refuzoi të mbyllë fabrikën e saj në rajonin perëndimor kinez të Xinjiang në verë, përkundër akuzave për “shkeljen e të drejtave të njeriut” aty. Agjencia e lajmeve Reuters raportoi javën e kaluar se VW po planifikonte një sipërmarrje të madhe të përbashkët softuerësh me kompaninë kineze të teknologjisë Horizon Robotics, ku do të investohen dy miliardë euro. Javën e kaluar gazeta gjermane Handelsblatt, duke u mbështetur në burime qeveritare, zbuloi se Berlini mund të miratojë blerjen kineze të Elmos, një kompani mikroçipash me bazë në Dortmund që zhvillon, prodhon dhe shet gjysmëpërçues të destinuar kryesisht për automobila.

Makinat e Volkswagen-it në ekspozitë të automobileve në Kinë(Foto:VCG)

Makina e Volkswagen-it në ekspozitë të automobilave në Kinë(Foto:VCG)

Ndërkohë në 26 tetor Berlini miratoi mes shumë polemikash shitjen e 24.9 për qind të aksioneve të kompanisë që kontrollon tre terminale në portin e Hamburgut në favor të gjigantit detar kinez Cosco. Kancelari Scholz, ish-kryetar i bashkisë së Hamburgut, e mbështeti marrëveshjen pa dëgjuar zërat kritikë për “humbje të pavarësisë”, duke qenë i bindur se refuzimi i marrëveshjes do të ishte "penalizim ekonomik i Hamburgut përkundrejt portit të Roterdamit dhe Antwerpit". Ne fakt kinezët e Cosco-s, janë aksionerë të shumicës së porteve të Zeebrugge në Belgjikë, Pireut në Greqi dhe Valencias në Spanjë, ndërsa zotërojnë aksione të tjera edhe në portet e Roterdamit në Holandë, Antwerpit në Belgjikë, Bilbaos në Spanjë apo Vado Ligures në Savona të Italisë. Hajde gjeje fajin e Gjermanisë… Nga 30 lëndët e para që BE i klasifikon si "kritike", 19 vijnë kryesisht nga Kina. Ato përdoren për prodhimin e telefonave celularë, llambave LED, motorëve elektrikë, qelizave diellore dhe çipave kompjuterikë. Prandaj, tranzicioni gjerman i energjisë varet kryesisht nga furnizimet kineze.

Foto:VCG

Foto:VCG

Por ndërsa Scholz po kryqëzohet brenda dhe jashtë Gjermanisë pse vrapoi kaq shpejt për në Pekin, shumë analistë të tjerë e kritikojnë atë se përkundrazi është i vonuar. Paraardhësja e tij, demokristianja Angela Merkel udhëtoi plot 12 herë drejt Pekinit në 16 vite në pushtet.  Por nëse Merkel kishte zgjedhur  të ndiqte politikën “ndryshimi përmes tregtisë" me Kinën,  Scholz mendon se “një shkëputje e ekonomive perëndimore nga Kina nuk duhet të merret në konsideratë: me Pekinin do të duhet të bëjmë biznes”. Sipas kancelarit gjerman  "nëse Kina po ndryshon, atëherë edhe qasja ndaj Kinës duhet të ndryshojë". Madje Scholz mbrojti edhe arritjet e globalizimit: “Globalizimi ka qenë një histori suksesi që ka sjellë prosperitet për shumë njerëz. Ne duhet ta mbrojmë atë”.

Në këtë klimë mosbesimi dhe xhelozie brenda vendeve më të fuqishme të botës dhe BE-së, pyetja se “a është Berlini i verbuar nga perspektiva e marrëveshjeve të biznesit, i lidhur shumë afër Kinës?”, ka një përgjigje shumë të thjeshtë. Kina është si ajo vajza e bukur në një klasë plot me djem, të cilën e lakmojnë të gjithë dhe që të gjithë e duan për vete. Edhe pse e dinë shumë mirë se në biznes kjo gjë nuk ka gjasa të ndodhë kurrë.

Edmond Laçi