Komisioneri i Lartë i OKB-së paralajmëron për situatën më të keqe të të drejtave të njeriut në Haiti
2022-11-06 17:53:04

foto nga VCG

 Protesta në Haiti më 30 tetor 2022/ foto nga VCG

Dhuna e armatosur e ka shtyrë Haitin në situatën më të keqe të të drejtave të njeriut që prej dekadash, deklaroi Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk.

Sipas tij, duhet të gjenden zgjidhje urgjente për këtë krizë të stërzgjatur dhe shumëplanëshe, raportoi “Xinhua”.

“Njerëzit po vriten nga armët e zjarrit. Ata po vdesin sepse nuk kanë qasje në ujë të pijshëm, ushqim, kujdes shëndetësor. Nivelet e pasigurisë dhe gjendja e rëndë humanitare kanë qenë shkatërruese për njerëzit e Haiti”,- shpjegoi Komisioneri i Lartë.

Sipas zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut, për dy muajt e fundit bandat e armatosura kanë bllokuar hyrjen në terminalin kryesor të karburantit dhe portet detare të vendit, duke penguar aksesin në ujin e pijshëm, ushqim dhe ilaçe. Si rezultat, pasiguria ushqimore në vend është në rritje, me një rekord 4.7 milionë njerëz - gati gjysma e popullsisë - që përballen me urinë akute.

Me dhunën e bandave që vazhdon të zgjerohet në të gjithë vendin, zyra e OKB-së në Haiti raportoi se në pak më shumë se një javë në mes të tetorit, më shumë se 71 njerëz u vranë, një duzinë grash u përdhunuan dhe qindra banorë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre si rezultat i luftërave në terren midis bandave rivale në komunën Croix-des-Bouquets në Port-au-Prince.

Turk i bëri thirrje qeverisë së Haitit të marrë një angazhim të vendosur për forcimin e sektorit gjyqësor dhe mekanizmave të tjerë të llogaridhënies. Kjo do të përfshijë krijimin e divizioneve të specializuara gjyqësore për të trajtuar krimet financiare dhe të lidhura me bandat.

“Haiti është në prag të humnerës. Ne nuk mund të përsërisim gabimet e së kaluarës. Rimëkëmbja e Haitit kërkon veprim urgjent dhe të qëndrueshëm për të trajtuar shkaqet rrënjësore të kësaj krize të shumanshme”, - përfundoi Turk. (Irma)

foto nga VCG

 Protesta në Haiti më 30 tetor 2022/ foto nga VCG

foto nga VCG

 Protesta në Haiti më 30 tetor 2022/ foto nga VCG