CMG: Impulsi i ri në miqësinë tradicionale Kinë-Pakistan
2022-11-03 21:43:41


“Kina dhe Pakistani janë miq dhe vëllezër të mirë.”Kështu e vlerësoi presidenti kinez Xi Jinping “miqësinë e hekurit” ndërmjet Kinës dhe Pakistanit gjatë takimit me kryeministrin pakistanez Shahbaz Sharif, i cili bëri një vizitë zyrtare në Kinë. Presidenti Xi tha se Kina është e gatshme të ngrejë nivelin e bashkëpunimit të gjithanshëm strategjik me Pakistanin dhe të ndërtojë një bashkësi dypalëshe me fate të përbashkëta më të ngushta, duke i dhënë një impuls të ri partneritetit të bashkëpunimit strategjik në të gjitha rrethanat ndërmjet Kinës dhe Pakistanit. Kryeministri pakistanez tha nga ana e tij se thellimi i partneritetit të bashkëpunimit strategjik në të gjitha rrethanat është guri i themelit të politikës së jashtme të Pakistanit dhe konsensusi i qarqeve të ndryshme të vendit.

Kryeministri Sharif është një ndër liderët e parë të huaj që janë ftuar për vizitë në Kinë pas Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës, vihet në dukje në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG). Takimi mes Xi Jinpingut dhe Sharifit pasqyron miqësinë tradicionale ndërmjet të dy vendeve, besimin e ndërsjellë strategjik dhe konsensusin e gjerë, duke hartuar plane të qarta për zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-Pakistan.

Kinezët e quajnë Pakistanin “mik të hekurt”, ndërsa pakistanezët thonë se miqësia ndërmjet Kinës e Pakistanit është “më e lartë se mali, më e thellë se deti dhe më e ëmbël se mjalti”. Në fillim të vitit 2020, pas shpërthimit të pandemisë në Kinë, pala pakistaneze i dhuroi Kinës të gjitha maskat e rezervuara në depot e spitaleve në mbarë vendin. Në qershorin e sivjetshëm, pas përmbytjeve në Pakistan, pala kineze i ofroi palës pakistaneze ndihmë gjithëpërfshirëse. Shumë fakte demonstrojnë se Kina dhe Pakistani janë miq të vërtet me besim të ndërsjellë, që kalojnë së bashku kohët e mira dhe ato të vështira, duke shërbyer si model për marrëdhëniet ndërkombëtare, vijon komenti i CMG-së. 

Në Kongresin e 20-të Kombëtar të PKK-së u theksua nxitja e hapjes në nivel të lartë dhe e zhvillimit të përbashkët të nismës “Një brez, një rrugë” me cilësi të lartë. Aktualisht, janë investuar 25 miliardë dollarë në ndërtimin e Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan, i cili ka krijuar 150 mijë vende pune për palën pakistaneze. Drejtori i Qendrës së Studimeve të Azisë Jugore dhe Çështjeve Ndërkombëtare Mehmood Ul Hassan Khan theksoi se investimet në infrastrukturë kanë nxitur rritjen e dukshme të PBB-së, dhe do të ndihmojnë 11 milionë pakistanezë të dalin nga varfëria deri në vitin 2030. 

Sipas deklaratës së përbashkët të publikuar në mbrëmjen e së mërkurës, Kina dhe Pakistani arritën konsensus në fushën e ndërtimit të përbashkët të “Një brez, një rrugë”, të tregtisë e investimeve, të shkëmbimeve njerëzore etj., duke theksuar mbështetjen e ndërsjellë për çështjet që kanë lidhje me interesat thelbësorë të njëri-tjetrit. Njëkohësisht, të dy palët nënshkruan dhe arritën disa marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi, duke përfshirë dhjetë fusha, si tregtia elektronike, ekonomia digjitale, eksportimi i produkteve bujqësore në Kinë, bashkëpunimi financiar, mbrojtja e relikteve kulturore dhe infrastruktura. Kjo do të zgjerojë sferën, do të rritë nivelin dhe do të pasurojë përmbajtjen e bashkëpunimit dypalësh, duke i dhënë një impuls të ri partneritetit të bashkëpunimit strategjik në të gjitha rrethanat ndërmjet të dy vendeve.

Foto: VCG

Foto: VCG

Para vizitës në Kinë, kryeministri pakistanez ka shkruar në median kineze artikullin me titull “Miqësia Pakistan-Kinë - besim dhe dashuri e palëkundur”. Vizita e tij pati shumë arritje, duke provuar të vërtetën e këtij titulli. Forcimi i miqësisë tradicionale, ngritja e nivelit të bashkëpunimit, krijimi i impulsit të ri... Kina dhe Pakistani do të kenë një të ardhme më të bukur. Bashkësia e fateve të përbashkëta më të ngushta ndërmjet Kinës e Pakistanit patjetër do të japë më shumë kontribut për paqen dhe stabilitetin botëror, mbyllet komenti i CMG-së. (Li Huailiang/Artan)