Ministrja e Financave: Suedia përgatitet për dimër të zymtë
2022-11-03 11:46:28

Ministrja suedeze e Financave (Foto Afronbladet)

Ministrja suedeze e Financave (Foto Afronbladet)

Ekonomia e Suedisë po shkon drejt një dimri të zymtë, deklaroi ministrja e Financave Elisabeth Svantesson në një konferencë shtypi.

Qeveria pret që produkti i brendshëm bruto (PBB) i Suedisë të tkurret me 0.4 për qind vitin e ardhshëm, ndërsa inflacioni mund të jetë deri në 5.9 për qind. Edhe shkalla e papunësisë parashikohet të rritet.

Svantesson tha se është e rëndësishme që politika suedeze të jetë e balancuar mirë si në lidhje me nevojën për të ulur inflacionin e lartë dhe për të përballuar rënien në ekonomi, citon “Xinhua”.

Duke komentuar rënien e parashikuar të PBB-së, ajo tha se Suedia, duke qenë një vend i vogël, ndikohet nga ekonomitë e partnerëve të saj tregtarë. Për shembull, ajo përmendi Gjermaninë, e cila ka probleme të mëdha.

“Shkalla e lartë e papunësisë është problematike dhe ndërsa tani po përballemi me një recesion, më shumë njerëz do të mbeten jashtë tregut të punës”,- tha ajo.

Perspektiva e qeverisë është gjerësisht në përputhje me atë që bëri të ditur Instituti Kombëtar i Kërkimeve Ekonomike (NIER) në një raport në shtator.

Sipas raportit, Banka Qendrore e Suedisë pritet gjithashtu të rrisë normën e politikës nga 1.75 për qind tani në 2.3 për qind gjatë gjithë vitit 2023.

Po ashtu treguesi i besimit të konsumatorëve ra në nivelin rekord të ulët prej 49.7 pikësh në shtator. Kjo ishte dukshëm më e ulët se 110 pikët e regjistruara në verën e vitit 2021. Po ashtu ky tregues ka rënë dhe te shitësit me pakicë, nga 91.3 pikë në gusht në 81.7 pikë në shtator.

Qeveria suedeze pritet të prezantojë buxhetin e saj javën e ardhshme. (Irma)