Rama: Mburoja financiare në çmimin e energjisë zbut inflacionin
2022-11-03 16:41:37

Stacion elektrik (Foto Atsh)

Stacion elektrik (Foto Atsh)

Kryeministri Edi Rama deklaroi se mburoja financiare e vendosur nga qeveria për çmimin e energjisë së familjeve dhe biznesit të vogël zbut efektin inflacionit, i cili në vendet e rajonit po godet shumë më pamëshirshëm.

Kryeministri tha se konfliktit të zgjatur ruso-ukrainas qeveria shqiptare po i jep një përgjigje të jashtëzakonshme, përcjell “ATSH”.

“Në radhë të parë për të mbrojtur familjet nga goditja shumë e rëndë dhe për shumëkënd e papërballueshme e çmimit të energjisë, për të mbrojtur biznesin e vogël, për të mbrojtur dyqanin nga goditja e çmimit të energjisë, sepse nëse i rritet energjia atij dyqanit atje, atëherë cilido prej jush që hyn atje për të blerë diçka do ta paguajë më shtrenjtë atë që blen dhe duke i mbajtur mbrapa kësaj mburoje financiare familjet dhe biznesin e vogël ne nuk e zhdukim dot, por e zbusim efektin e këtij inflacioni i cili në vendet e rajonit po godet shumë më pamëshirshëm”, tha kryeministri Rama.

Sipas tij, kjo është një kohë e vështirë për të gjithë. Kryeministri tha se fatkeqësia është se u bë e treta në radhë si një situatë e imponuar nga rrethana jashtë vendit dhe më e vështira për t’u përballuar, pas tërmetit dhe pandemisë. (Irma)