Shefi i OKB-së thekson rolin e qyteteve në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm global
2022-11-02 17:06:35

Shefi i OKB-se Antonio Guterres (Foto Xinhua)

Shefi i OKB-se Antonio Guterres (Foto Xinhua)

Duke përfaqësuar shumicën e emetimeve globale të karbonit, qytetet luajnë role kritike në ndërtimin e një bote të qëndrueshme për të gjithë, deklaroi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në kuadër të Ditës Botërore të Qyteteve. Tema e këtij viti ishte “Vepro lokalisht për të përparuar globalisht”.

Sipas Guterres, sot, më shumë se gjysma e të gjithë njerëzve jetojnë në zona urbane dhe mbi dy të tretat do ta bëjnë këtë deri në vitin 2050.

Shefi i OKB-së vuri në dukje se qytetet, që gjenerojnë mbi 80 për qind të PBB-së globale, përbëjnë mbi 70 për qind të emetimeve të karbonit, që do të thotë, sipas tij, se zbatimi i Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm ndodh kryesisht në qytete, përcjell “Xinhua”.

Shumë qytete tashmë po udhëheqin tranzicionin drejt energjisë së rinovueshme, duke vendosur objektiva të besueshëm neto zero dhe duke ndërtuar infrastrukturë rezistente ndaj klimës.

“Unë i inkurajoj ata të punojnë me qeveritë e tyre dhe qytetet simotra anembanë botës për të shkëmbyer përvoja dhe për të ndihmuar në rritjen e ambicies. Veprimet që qytetet ndërmarrin në nivel lokal për të krijuar një botë të qëndrueshme do të jehojnë globalisht. Dhe politikat transformuese në qytetet pioniere sot mund të katalizojnë ndryshimin që do të shpëtojë jetë dhe jetesë kudo nesër”,- tha Guterres. (Irma)