Eurostat-i: Inflacioni në Eurozonë, 10.7% në tetor
2022-11-02 16:34:34

Inflacioni ne eurozone (Foto Xinhua)

Inflacioni ne eurozone (Foto Xinhua)

Inflacioni në Eurozonë pritet të vazhdojë të rritet me shifra dyshifrore, në sfondin e ngadalësimit të rritjes ekonomike në tremujorin e tretë të vitit 2022, njoftoi Eurostat, zyra statistikore e Bashkimit Evropian.

E nxitur kryesisht nga rritja e çmimeve të energjisë, norma e inflacionit në Eurozonë u rrit në 10.7 për qind në baza vjetore në tetor, nga 9.9 për qind në shtator, përcjell “Xinhua”.

Energjia pritet të ketë normën më të lartë vjetore, duke arritur në 41.9 për qind në tetor. Norma vjetore në shtator ishte 40.7 për qind.

Çmimet e ushqimeve, alkoolit dhe duhanit duhet të shënojnë rritje vjetore prej 13.1 për qind në tetor, krahasuar me 11.8 për qind në muajin paraardhës.

Mallrat industriale joenergjetike duhet të regjistrojnë një rritje prej 6 për qind nga viti në vit, krahasuar me 5.5 për qind të shtatorit; ndërkohë që çmimi i shërbimeve duhet të qëndrojë i qëndrueshëm, duke kaluar nga një rritje vjetore prej 4.3 për qind në shtator në 4.4 për qind në tetor.

“Në përgjithësi, ka ende prova të qarta se efektet e raundit të dytë të goditjeve nga ana e ofertës në ekonomi vazhdojnë të rrisin inflacionin pavarësisht nga moderimi i kërkesës”,- komentoi eksperti ekonomist për Eurozonën Bert Colijn.

Vendet baltike janë goditur më rëndë nga inflacioni, me 22.4 për qind për Estoninë, 22 për qind për Lituaninë dhe 21.8 për qind për Letoninë.

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, Eurostat-i parashikon një rritje prej 0.2 për qind të produktit të brendshëm bruto (PBB) për tremujorin e tretë 2022 si në Eurozonë ashtu edhe në Bashkimin Evropian (BE). Në tremujorin e kaluar, shifrat e rritjes së PBB-së ishin 0.8 për qind për Eurozonën dhe 0.7 për qind për BE. (Irma)