Mbi 150 viktima dhe afro 100 të plagosur gjatë festës së Hallouinit në Seul
2022-10-31 11:35:49

Të paktën 153 njerëz u vranë dhe 103 të tjerë u plagosën në një rrëmujë që ndodhi të shtunën mbrëma, në lagjen “Itaewon”, në Seul, gjatë një feste për Hallouin, njoftoi “Xinhua”.

Nëntëmbëdhjetë të huaj ishin në mesin e viktimave, sipas autoriteteve lokale të zjarrfikësve.

Nga aksidenti mbetën të plagosur 103 persona, prej të cilëve 19 të plagosur rëndë.

Presidenti i Koresë së Jugut Yoon Suk-yeol vizitoi vendin e ngjarjes. Ai e cilësoi një tragjedi të vërtetë dhe  shprehu ngushëllime për viktimat, duke uruar  shërim të shpejtë për të lënduarit. Në Korenë e Jugut janë shpallur shtatë ditë zie kombëtare.

Tragjedia ndodhi në një rrugicë të ngushtë pranë një hoteli në “Itaewon”. Thuhet se personat që ndodheshin në pjesën e përparme ranë dhe më pas njerëzit u shtypën nga turma që nisi të lëvizë. Sipas policisë, rreth 100.000 persona kishin marrë pjesë në festimet për Hallouin që u zhvilluan në “Itaewon”. (Fatosi)