BE-ja zotohet të shtrëngojë politikën e ndotjes së ajrit dhe ujit
2022-10-31 16:34:45

Flamujt e BE-se (Foto Accountancyage)

Qytetarët e vendeve të Bashkimit Evropian mund të jenë në gjendje të padisin ndotësit e ajrit dhe të ujit, si pjesë e padive ligjore në bazë të rregulloreve të reja që hartohen nga blloku, shkruan “China Daily”.

Propozimet e reja do të bëjnë që ndotja e ajrit dhe e ujit të zvogëlohet në zero deri në vitin 2050. Në rastin e mikro-ndotësve në ujë, do të zbatohet rregulli “ndotësi paguan”, ku BE-ja vlerëson se 92 për qind e tyre vijnë nga farmaceutikët dhe produktet kozmetike.

“Sa më gjatë të presim për të reduktuar këtë ndotje, aq më të larta janë kostot për shoqërinë. Deri në vitin 2050, ne duam që mjedisi ynë të jetë i pastër nga ndotësit e dëmshëm”,- tha zëvendëspresidenti i KE-së, Frans Timmermans, duke shtuar se propozimet për të reduktuar më tej ndotjen e ujit dhe ajrit janë një pjesë thelbësore e kësaj enigme.

Pasi ato të jenë sugjeruar zyrtarisht, rregullat e reja për cilësinë e ajrit do të duhet të negociohen dhe miratohen nga vendet anëtare të BE-së.

Cilësia e ajrit ka qenë prej kohësh një çështje e rëndësishme shëndetësore në Evropë. Sipas shifrave të Agjencisë Evropiane të Mjedisit, në fillim të viteve 1990, ndotja e grimcave të imta shkaktoi afro një milion vdekje të parakohshme, një shifër që ishte përgjysmuar deri në vitin 2005.

Të dhënat më të fundit tregojnë se numri tani është më afër 300.000 dhe nëse ndiqen udhëzimet e OBSH-së, kjo shifër mund të përgjysmohet përsëri. (Fatosi)