Nënkryetari i Senatit francez: Modernizimi kinez, model i përshtatur me realitetet e tij
2022-10-28 10:42:47

Foto: VCG

Rruga kineze drejt modernizimit, një model i përshtatur me realitetet e Kinës, është e rëndësishme dhe duhet respektuar, deklaroi Pierre Laurent, nënkryetar i Senatit francez, gjatë një interviste për “Xinhua”.

Sipas tij, Kongresi i 20-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës është jashtëzakonisht i rëndësishëm jo vetëm për Kinën dhe popullin kinez, por edhe për të gjithë botën, pasi Kina ka marrë një rol të madh në komunitetin ndërkombëtar pas dekadash zhvillimi.

Laurent, gjithashtu president i Këshillit Kombëtar të Partisë Komuniste Franceze, theksoi se ndër përpjekjet që ka bërë shoqëria njerëzore, Kina ka arritur të gjejë një mënyrë të re të përshtatshme për situatën e saj, duke shtuar se kjo zgjedhje politike i dha frytet e saj me politikën e reformës dhe hapjes, dhe më pas me përpjekjet për të përshpejtuar zhvillimin e vendit.

Gjatë mandatit të tij si sekretar kombëtar i partisë së tij midis viteve 2010 dhe 2018, Laurent bëri dy vizita në Kinë në vitet 2011 dhe 2016 dhe u mahnit shumë nga përparimi spektakolar që Kina kishte bërë brenda pesë viteve.

Duke folur për iniciativat e presidentit Xi Jinping për të promovuar paqen dhe zhvillimin botëror dhe për të ndërtuar një komunitet njerëzor me një të ardhme të përbashkët, Laurent tha se Franca dhe vendet e tjera në botë gjithashtu mund të ndërmarrin veprime për të çuar përpara këto nisma.

“Sfida të tilla të mëdha globale si siguria ushqimore dhe energjitike dhe zhvillimi social duhet të zgjidhen nëpërmjet multilateralizmit dhe në respekt për të gjitha kombet”,- theksoi Laurent.

Lidhur me Iniciativën e Zhvillimit Global dhe Iniciativën e Sigurisë Globale të propozuar nga Kina, Laurent tha se Franca dhe Evropa duhet të jenë të vëmendshme ndaj këtyre nismave, për të diskutuar kushtet për një rend të ri botëror më të drejtë, i cili do të bëjë të mundur zgjidhjen e çështjeve kryesore të njerëzimit.

Franca ishte një nga vendet e para të mëdha perëndimore që vendosi lidhje diplomatike me Republikën Popullore të Kinës, kujtoi Laurent. “Evropianët, francezët dhe kinezët mund të flasin së bashku për zhvillimin në Afrikë, Azi dhe kontinente të tjera të botës dhe mund të flasin për një multilateralizëm që respekton të gjitha kombet dhe të gjitha kontinentet”, tha ai. (Irma)