Konferenca e BE-së në Bullgari nxjerr në pah transformimin digjital të industrisë së turizmit
2022-10-27 09:49:54

Foto: VCG

Një konferencë e Bashkimit Evropian (BE) mbi turizmin e mbajtur të martën në Bullgari theksoi transformimet digjitale në industrinë që ndryshon me shpejtësi. E titulluar “Konferenca për Transformimin Digjital në Turizëm”, veprimtaria njëditore, e organizuar nga Strategjia e BE-së për Rajonin e Danubit (EUSDR), mblodhi së bashku përfaqësues nga tetë vende. Në panelin e parë të konferencës të titulluar “Digjitalizimi - praktikat më të mira në mbarë botën”, pjesëmarrësit diskutuan produktet e ardhshme turistike të Ballkanit dhe rajonit të Danubit, përcjelljen e trashëgimisë kulturore dhe tendencat në marketingun digjital dhe teknologjitë inovative në mikpritje, bën të ditur “Xinhua”.

Ministri i Turizmit i Bullgarisë, Ilin Dimitrov, në ceremoninë e hapjes tha se industria është padyshim shumë e rëndësishme për ekonomitë e Evropës dhe botës dhe se ajo po kalon një transformim dinamik dhe ndryshime shumë serioze.

“Digjitalizimi i turizmit është proces i pakthyeshëm i modernizimit të sektorit”, - tha Dimitrov.

Bullgaria, në veçanti, do të krijojë një udhërrëfyes elektronik që do të bashkojë elementë të ndryshëm të shërbimeve dhe produkteve turistike, tha ai.

Ministri tha se një përqindje në rritje e konsumatorëve përdorin pajisje digjitale. Në nivel global, 71 për qind e konsumatorëve të turizmit kanë blerë shërbime përmes telefonit të tyre dhe 91 për qind kanë marrë informacion përmes telefonit, tha Dimitrov.

EUSDR është një strategji makro-rajonale, që synon të krijojë sinergji dhe koordinim midis politikave dhe nismave ekzistuese që zhvillohen në të gjithë rajonin e Danubit. (Elona)