BE rrit mbështetjen për menaxhimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor
2022-10-27 12:48:22

Foto: RTSH

Agjencia Evropiane për Monitorimin e Kufijve pritet që të fillojnë negociatat për të arritur një marrëveshje me vendet e Ballkanit Perëndimor për të forcuar menaxhimin e kufijve, pasi Komisioni Evropian miratoi më herët një paketë ndihme prej afro 40 milionë eurosh për këtë çështje. 

Komisioni miratoi po ashtu një paketë të re ndihme me vlerë 39.2 milionë euro sipas Instrumentit për Asistencën e Para-Aderimit (IPA III) për të forcuar menaxhimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, bën të ditur “RTSH”.

Sipas komisionerit për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, kjo paketë është në kohën e duhur, pasi emigrimi mbetet një fushë ku duhet të bashkëpunohet.

“Me një plan disavjeçar, deri në vitin 2024 ne synojmë të rrisim fondet tona me 60% në total, në të paktën 350 milionë euro për partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor. Kjo do të mbështesë Ballkanin Perëndimor në të gjitha fushat e zhvillimit të sistemeve efektive të menaxhimit të emigracionit, duke përfshirë azilin dhe pritjen, sigurinë kufitare dhe kthimet”,- tha ai. 

Mbështetja synon kapacitetet e menaxhimit të kufirit të rajonit kryesisht nëpërmjet ofrimit të pajisjeve të specializuara. Ajo përfshin sisteme të lëvizshme të mbikëqyrjes, mjete ajrore pa pilot, pajisje biometrike, trajnime dhe mbështetje për krijimin dhe funksionalizimin e Qendrave Kombëtare të Koordinimit. (Elona)