Meloni prezanton programin: Vendi i Italisë në NATO dhe BE
2022-10-27 09:46:24

Foto: VCG

Në një fjalim mbi 70 minuta, Giorgia Meloni ka prezantuar para parlamentit italian programin e saj qeverisës, ku rikonfirmoi vendin e Italisë në NATO dhe në BE.   

Liderja e re italiane, në fjalimin e saj të parë në Parlament, ka konfirmuar edhe mbështetjen për Ukrainën, bën të ditur “RTSH”.

45-vjeçarja hodhi poshtë gjithashtu çdo lidhje me të kaluarën fashiste të vendit të saj, duke thënë se ajo kurrë nuk kishte ndjerë simpati ose afërsi me regjimet jodemokratike, duke përfshirë edhe fashizmin.

Perspektiva e një qeverie euroskeptike, populiste që drejton ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës ka ngjallur shqetësim tek aleatët e Italisë, veçanërisht në BE.

“Italia është plotësisht pjesë e Evropës dhe e botës perëndimore”,- i tha Meloni Dhomës së Ulët të Parlamentit, duke shtuar se do të vazhdojë të jetë një partner i besueshëm i NATO-s në mbështetjen e Ukrainës.

Meloni tha se do të forconte masat ekzistuese për të ndihmuar bizneset dhe familjet të përballen me rritjen e çmimeve, por paralajmëroi se kjo do të ndikonte në shpenzimet diku tjetër.

Pas fjalimit të saj, dhoma e deputetëve dha votëbesimin për qeverinë e re. Me 235 vota pro, 154 kundër dhe 5 abstenim, Meloni fitoi besimin e deputetëve. (Elona)