A mund ta bindë Kina Rusinë që t'i japë fund luftës?
2022-10-24 10:27:43

Në fund të muajit që lame pas, ministri i Jashtëm ukrainas, Kuleba, deklaroi se "Kina respekton sovranitetin e Ukrainës"! Kjo deklaratë erdhi pas takimit të tij me homologun kinez, Wang Yi, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Nikola Busse në një koment të tijin në Frankfurter Allgemeiner Zeitung të një dite më pas ve në dukje se zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës nuk kërkoi vetëm armëpushim, por edhe një zgjidhje të shpejtë, e cila të garantojë sigurinë e të gjitha palëve"!

Duket qartë se lidershipi kinez dëshiron që të respektohet Karta e OKB-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve, përfshirë dhe Ukrainën. Kjo do të thotë se në Pekin ka një shqetësim për luftën që zhvillohet mes Rusisë e Ukrainës dhe se diplomacia kineze do të donte të ndërmjetësonte për t'i dhënë fund këtij absurdi. Megjithatë ka shumë njerëz, të cilët nuk e kuptojnë pse Republika Popullore e Kinës është e interesuar për t'i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, madje me kërkesën për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj! Askush nuk ka bërë pyetjen pse Kina prej vitit 2014 e këtej nuk e njohu aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë! Por ka vetëm diskutime njëkahëshe, sipas të cilave Kina dhe Rusia janë aleatë strategjikë.

nga VCG

nga VCG

Ndaj dhe Kina nga shumë njerëz perceptohet si vend i madh paqedashës me një politikë të jashtme të pavarur. Vërtet marrëdhëniet midis Kinës dhe Rusisë janë në partneritet të nivelit të lartë, por Kina nuk është aleate e Rusisë. Po të ishte aleate ajo do të kishte vepruar ndryshe për shumë nga zhvillimet në Ukrainë. Për këtë arsye përpjekjet për ta lidhur Republikën Popullore të Kinës pas aksit rus dhe për ta treguar atë me gisht njësoj si edhe Rusinë janë krejt pa vend dhe jo produktive. Këto përpjekje nuk i shërbejnë kauzës së paqes e të rendit tonë botëror. Në kushtet e krizës e të luftës në Ukrainë si pasojë e sulmeve ushtarake të Rusisë bota e civilizuar do të duhet të tërheqë gjithnjë e më shumë Pekinin pranë vetes e madje ta përdorë si mundësi për t'i dhënë fund tragjedive që ndodhin në Ukrainë.

Në fakt, nëse Moska dhe Pekini do të kishin një aleancë strategjike të pakthyeshme, Rusia nuk do të mund të ndërmerrte një agresion ushtarak pa miratimin e aleatit të saj, Kinës. Presidenti kinez i vetëm nuk mund t'ia ndryshojë mendjen presidentit rus.

Fakti që Putin, më t'u kthyer nga Takimi i Uzbekistanit shpalli mobilizimin ushtarak dhe kërcënoi me përdorimin e armëve bërthamore, dëshmon gjithashtu se ai nuk ka ndërmend të ndikohet nga kritikat, mendimi i kundërt ose këshillat e aleatëve të tij. Kjo do të thotë se kreu i shtetit rus aleancën me vendet e tjera e koncepton si një instrument vetëm në shërbim të tij e interesave të vendit të tij. Dhe në këtë rast është e pamundur që edhe Pekini t'i japë një zgjidhje luftës dhe krizës në Ukrainë.

nga VCG

nga VCG