Strategjia Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë 2023-2030
2022-10-20 11:16:15

Fatkeqësitë shkaktojnë humbje që kanë një efekt negativ në më shumë se një element social në zonën ku ato ndodhin. Pothuajse të gjithë sektorët mbajnë përgjegjësi për të siguruar kapacitetet e menaxhimit të fatkeqësive duke garantuar kështu aftësinë ripërtëritëse dhe parandaluese të vendit. Ndikimet e fatkeqësive vlerësohen në rritje për shkak të  ekspozimit të shtuar të njerëzve dhe aseteve ekonomike në zonat e cenueshme;  financimit të pamjaftueshëm për zvogëlimin e riskut në vite; dhe  efekteve të ndryshimeve klimatike. Kjo është veçanërisht shqetësuese duke qenë se të varfrit dhe kategoritë e popullsisë të riskuara nga varfëria preken në mënyrë jo proporcionale nga fatkeqësitë.

Zhvillimi i strategjive kombëtare dhe vendore për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë është një nga shtatë objektivat e Kuadrit për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë 2015–2030. Në një intervistë televizive  Markel Baballoku, inxhinier  dhe një prej anëtarëve te hartimit te kësaj strategjie, ka deklaruar se  pas tërmetit të 2019 u kryen vlerësime të detajuara, por vlerësimi do të bëhet  për banesat që gjykohet se duan një kontroll të tillë.

Inxhinieri Markel Baballoku (Foto faktor.al)

“Çështja që ka filluar të trajtohet është në vijueshmëri dhe jo në një çast specifik. Patjetër, që pas tërmetit të 2019-tës u kryen vlerësime të detajuara për elemente specifikë që u dëmtuan, por vlerësimi i riskut në shkallë kombëtare ka dy elementë të pazëvendësueshëm dhe që nuk mbulohen dot nga një vlerësim, sepse ka një shtrirje territori në të gjithë Shqipërinë. E dyta, vlerësimi i riskut nuk bëhet pas tërmetit. Shpeshherë ne dokumentin e parë të vlerësimit të riskut e kemi bërë më para, do i rikthehemi mbase dhe më vonë por kryhet në vijueshmëri dhe përditësohet dhe për pasojë nuk bazohet ose nuk i referohet vetëm ndërtesave  të dëmtuara, por vlerësohet gjendja dhe aftësia mbajtëse e të gjithë veprave të inxhinierisë në mënyrë periodike për të kuptuar sesi do të jenë pasojat e shkaktuara nga një ngjarje e mundshme në të ardhmen”, u shpreh për mediat Markel Baballoku.

Në tre vitet e fundit Shqipëria i është nënshtruar një reforme të thellë në sistemin e saj të menaxhimit të fatkeqësive, duke e zhvendosur fokusin nga një menaxhim pasiv i situatave, në një menaxhim proaktiv, te orientuar në parandalim dhe gatishmëri.

“Tërmeti është një laborator që në një farë mënyre konfirmon, pohon ose jo ato që shpeshherë bëhen në analizën e riskut. Për ta thënë, për ta vërtetuar këtë fakt ka qenë në 2004, kemi një dokument të parë të vlerësimit të riskut dhe kjo prodhon edhe elementin që në kohë qetësie u prodhua ai element, por tërmeti është një shtysë për të rritur vëmendjen dhe për t’u marrë aq sa duhet për çështje të tilla gjatë zhvillimit.”- thotë Baballoku.

Strategjia Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë promovon vendosjen e rregullimeve funksionale për koordinimin midis të gjithë aktorëve në Shqipëri dhe përcakton fushat kritike ku kapacitetet duhet të forcohen.

Pasojat e termetit të vitit 2019 (Foto Durres lajm)

“Kjo është një çështje që në një farë mënyre i takon shtetit që ta strukturojë. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civili është autoriteti kombëtar që duhet ta trajtojë edhe në pikëpamjen e politikës. Në këtë dokument ajo trajtohet në dokumentin e strategjisë për të mos ia lënë rastit dhe çastit të ardhjes së fatkeqësisë ose rrezikut të ardhshëm. Pra, duhet të jetë një trajtim që institucionet jo vetëm  janë një seri aktorësh që mund të kontribuojnë, por duhet të veprojnë në periudhë të qetë për shkakun e vetëm që kur të vijë ngjarja të jemi shumë më të përgatitur se në rastin konkret. Lidhur me ekspertizën e huaj unë e shikoj me vlerë, por ekspertiza e huaj pas tërmetit nuk është ajo që pritet në aspektin e zbutjes, sepse po flasim për të zvogëluar riskun dhe ky është një kontribut që mund të jepet në vijimësi gjatë gjithë kohës, jo në një çast të caktuar. “- shprehet inxhinieri.

Në përgjithësi, faktorët kryesorë të riskut për rrezikun sizmik në Shqipëri përfshijnë infrastrukturën e dobët dhe ndërtimet e paligjshme dhe/ose të papërgjegjshme të ndërtesave, të cilat shpesh përfshijnë mosrespektimin e kritereve të sigurisë së vetë ndërtimit dhe vendosjen e ndërtesave në zona me risk të lartë sizmik.

“Projektet e strategjisë është  dokumenti që i adreson institucionet kryesore që duhet të kenë  drejtimin për t’i zhvilluar më tej. Pra, projekte të ndryshme mund të jetë vetë Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Ministria e Ndërtimit apo Energjisë, institucionet kërkimore të përfshira dhe janë të përmendura në këto projekte. Nuk janë pak projekte, por janë një seri projektesh. Janë vetëm 9 për pjesën e zvogëlimit të riskut sizmik, por një pjesë tjëtër janë të përbashkëta. Pra, është një mori projektesh që në një farë mënyre do të kërkojë përfshirjen e një serie institucionesh. Këto janë të specifikuara në dokument, por jo kush do të bëjë punën. Këto projekte duhet të detajohen në mënyrë të tillë që ne ta kemi më të qartë.”- thotë Baballoku.

Përmbytje (Foto Shqiptarja.com)

Grupi i punës ka bërë një analizë se cilat do të jenë në fokus të vlerësimit.

“Normalisht projekti ka një shtrirje, por edhe vetë ligji prashikon që këto dokumente, veçanërisht dokumenti i strategjisë ka një rifreskim ose përditësim periodik. Nga detyrimi ligjor nuk lihet si një dokument që u hartua dhe tani do të vijojmë, por ai përditësohet. E për pasojë dhe projektet që janë të përfshira në strategji mund të jenë dhe përmirësime të herëpashershme gjatë periudhave të ndryshme të kohës. Lidhur me pyetje më specifike që i përket stokut të banimit, nuk bëhet fjalë për të gjithë stokun e banimit sepse në një farë mënyre stoku i ndërtesave është një numër tepër i lartë. Bëhet fjalë për 500’000 ndërtesa, por normalisht që tërmeti si ngjarje e fortë përvec pasojave të drejtpërdrejta, lë të kuptosh dhe jep të dhëna edhe mbi cilësinë e tipologjive të caktuara ndërtimore. Ne keto i pamë dhe për pasojë ka disa kategori ndërtimesh që i përkasin dhe periudhave të ndryshme kohore, por fokusuar në një periudhë, unë do ta thosha sot edhe disa të konfirmuar në aspektin teknik që i përket më tepër periudhës ’80-2000, një fashë 75’-2000 do të thosha më tepër, është një stok më i cënueshëm, më vunerabël, i cili kërkon vëmendje, por dhe brenda kësaj ka ndërtesa shumë të mira por ka tipologji që duhen trajtuar me kujdes.”-thotë në intervistë Baballoku.

Shqipëria cënohet nga një sërë fatkeqësish natyrore. Rreziqet kryesore që prekin Shqipërinë janë tërmetet, përmbytjet, zjarret pyjore dhe rrëshqitjet e tokës. Rreziqet e tjera përfshijnë stuhi dëbore, thatësirë, ekstreme të temperaturës, epidemi, ortekë, rreziqe teknologjike (p.sh., shpërthime të digave) dhe stuhi të erës. Baza e të dhënave ndërkombëtare të Fatkeqësisë (EM-DAT) tregon se, gjatë viteve 1979-2019, përmbytjet përbënin pjesën kryesore të ngjarjeve të fatkeqësive (38%), e ndjekur nga tërmetet (15%).

 Rreziqet më të mëdha në Shqipëri janë tërmetet e forta dhe përmbytjet e lumenjve në shkallë të gjerë. Krahas këtyre rreziqeve, risku tipik në të gjithë Shqipërinë është ai i fatkeqësive të përmasave të vogla që lidhen me përmbytjet, rrëshqitjet e tokës dhe ngjarje të motit ekstrem. Si rezultat i ekspozimit të lartë dhe kapaciteteve të pamjaftueshme përballuese, fatkeqësitë po prekin rrugën e zhvillimit të Shqipërisë, kështu që mesatarisht dëmet nga tërmetet dhe përmbytjet vlerësohen në 147 milionë dollarë në vit, me një ngjarje katastrofike, si një tërmet 1 në 100 vjet për shembull që shkakton dëme mbi 2 miliardë dollarë.