BE propozon masa të reja për të luftuar çmimet e larta të energjisë
2022-10-20 12:21:25

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Komisioni Evropian ka propozuar një paketë të re masash që synojnë përmirësimin e stabilitetit në tregjet evropiane të gazit.

Të prezantuara nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe komisionerë të tjerë evropianë në Strasburg, Francë, masat përfshijnë blerjen e përbashkët të gazit, krijimin e një standardi të çmimeve të Gazit Natyror të Lëngshëm (LNG) dhe solidaritetin mes vendeve anëtare të BE-së, bën të ditur “Xinhua”.

Von der Leyen theksoi gjithashtu nevojën për të vazhduar përpjekjet për të kursyer gazin dhe për të investuar në energjitë e rinovueshme.

“Në kontekstin e krizës aktuale të gazit, ne jemi të gatshëm të shoqërojmë firmat që dëshirojnë të hyjnë në një konsorcium blerjeje të përbashkët, duke iu nënshtruar masave mbrojtëse dhe në përputhje me rregullat tona të konkurrencës”,- tha Margrethe Vestager, nënkryetare ekzekutive e Komisionit Evropian.

Qëllimi i blerjes së përbashkët të gazit është të reduktojë ofertat e pakoordinuara për furnizimet me gaz ndërmjet shteteve anëtare, duke rezultuar në akses më të drejtë në gaz dhe çmime potencialisht më të ulëta. Kompanitë do të dorëzonin kërkesat e tyre për gaz në një platformë tenderimi dhe këto kërkesa më pas do të grumbulloheshin dhe platforma do të kërkonte furnizues.

BE-ja aktualisht po lufton me çmimet e larta të energjisë, të cilat janë pasojë e krizës Covid 19 dhe konfliktit Rusi-Ukrainë. Prandaj BE-ja është zotuar të heqë dorë nga lëndët djegëse fosile ruse ndërsa kalon në energjinë e gjelbër. (Elona)