Policia daneze: Rrjedhjet e gazit në tubacionet “Nord Stream” u shkaktuan nga shpërthimet
2022-10-19 16:52:54

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Hetimet paraprake kanë konfirmuar se shpërthimet e fuqishme shkaktuan dëme të mëdha në “Nord Stream” 1 dhe 2 në zonën ekskluzive ekonomike të Danimarkës, njoftoi Policia e Kopenhagës në një deklaratë për shtyp të martën.

“Policia e Kopenhagës, me ndihmën e Forcave të Mbrojtjes Daneze dhe në bashkëpunim me PET (Shërbimi Danez i Sigurisë dhe Inteligjencës), kanë kryer një sërë hetimesh paraprake në vendngjarje në Detin Baltik”,- thuhet në njoftimin për shtyp.

“Hetimet kanë konfirmuar se dëme të mëdha janë shkaktuar në “Nord Stream” 1 dhe 2 në zonën ekskluzive ekonomike të Danimarkës dhe se dëmi është shkaktuar nga shpërthime të fuqishme”,- thuhet në njoftimin e cituar nga “Xinhua”.

Sipas dokumentit, PET dhe Policia e Kopenhagës kanë vendosur të krijojnë një ekip të përbashkët për të hetuar më tej incidentet bazuar në hetimet paraprake. Grupi i ri hetimor pritet të punojë ngushtë me autoritetet përkatëse si në Danimarkë ashtu edhe jashtë saj, por ishte ende herët për të thënë ndonjë gjë rreth kornizës nën të cilën do të zhvillohet bashkëpunimi ndërkombëtar.

Më 26 shtator, u zbuluan rrjedhje në dy tubacione gazi natyror, “Nord Stream” 1 dhe 2, të cilat transportojnë gaz nga Rusia në Evropë, nën Detin Baltik në brigjet e ishullit Bornholm të Danimarkës, pranë zonave ekskluzive ekonomike të Danimarkës dhe Suedisë.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen i cilësoi incidentet veprime të qëllimshme.  (Elona)