Gjermania mund të hyjë në recesion në vitin 2023
2022-10-16 10:42:51

foto/VCG

foto/VCG

Ndërsa Gjermania lufton me krizën energjetike, qeveria, në përputhje me institutet kryesore ekonomike, pret një tkurrje ekonomike prej 0.4 për qind në vitin 2023 dhe bën të ditur se vendi mund të hyjë në recesion vitin e ardhshëm, përcjell “Xinhua”.

“Kjo krizë e rëndë energjetike kërcënon të bëhet një krizë ekonomike dhe, së bashku me të, një krizë sociale”,- tha ministri për Çështjet Ekonomike Robert Habeck në një konferencë shtypi.

Në parashikimin pranveror, qeveria gjermane kishte parashikuar ende rritje prej 2.5 për qind për vitin e ardhshëm.

Masat e marra nga qeveria për të adresuar krizën energjetike kanë funksionuar pa marrë parasysh sa serioze dhe dëshpëruese janë këto shifra, theksoi Habeck.

Sipas tij, është parashikuar një rënie ekonomike dukshëm më e mprehtë, për një skenar të rastit më të keq që përfshin një ngrirje të furnizimeve me gaz rus.

Në fillim të shtatorit, furnizimet me gaz përmes gazsjellësit të rëndësishëm Nord Stream 1 në Gjermani u ndërprenë plotësisht, pasi u pezulluan disa herë më parë për punë mirëmbajtjeje.

Për të siguruar furnizimin me ngrohje këtë dimër, autoritetet kanë përshpejtuar mbushjen e depozitave të gazit në vend. Sipas objektivave ligjore të qeverisë, objektet e magazinimit të gazit duhet të mbushen të paktën 95 për qind deri më 1 nëntor. Ky objektiv, tha Habeck, tashmë është pothuajse i arritur.

I nxitur nga rritja e çmimeve të energjisë, inflacioni në Gjermani është rritur në mënyrë të qëndrueshme që nga fillimi i konfliktit Rusi-Ukrainë, duke arritur nivele rekord prej 10 për qind në shtator, sipas shifrave paraprake të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave (Destatis).

Për të zbutur ndikimin e inflacionit të lartë, qeveria ka paraqitur tashmë masa lehtësuese, të cilat përfshijnë mbështetje financiare afatshkurtër për banorët që përballen me faturat e larta të ngrohjes dhe rritjen e pagesave të mirëqenies. Ajo gjithashtu njoftoi një "ombrellë mbrojtëse" deri në 200 miliardë euro (194 miliardë dollarë amerikanë) për të stabilizuar ekonominë. (Irma)