Ish-presidenti kroat: Ndërtimi i komunitetit me të ardhme të përbashkët për njerëzimin, koncept vizionar
2022-10-15 10:31:45

foto/VCG

foto/VCG

Koncepti i ndërtimit të një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, i propozuar nga presidenti kinez Xi Jinping, është shumë progresiv, i rëndësishëm dhe vizionar, deklaroi ish-presidenti kroat Ivo Josipovic, gjatë një interviste për “Xinhua”.

“Patjetër që është një ide shumë progresive, një ide që nis nga ideali i paqes globale dhe është shumë e rëndësishme, veçanërisht në botën e sotme”,- tha Josipovic, duke theksuar se edhe një vend i vogël si Kroacia mund të kontribuojë ndjeshëm në këtë koncept.

“Mendoj se politikat kroate kanë qenë gjithmonë në favor të paqes globale dhe bashkëpunimit global, ndaj jam plotësisht i sigurt se liderët kroatë do ta ndjekin këtë ide. Jam i sigurt se shoqëria jonë do të jetë shumë e lumtur me këtë projekt dhe do të kontribuojë në të”,- tha ai.

Josipovic vlerësoi gjithashtu ndjekjen dhe praktikën e multilateralizmit nga qeveria kineze.

Multilateralizmi është një mbrojtje për shumicën e vendeve në botë, veçanërisht për ato të vogla si Kroacia, tha ai, duke shtuar se multilateralizmi ka qenë një parim udhëzues për politikën e jashtme të Kroacisë.

Josipovic, i cili shërbeu si president kroat nga 2010-2015 dhe ka vizituar shumë herë Kinën, ka mbrojtur marrëdhëniet miqësore midis Kroacisë dhe Kinës dhe ka promovuar zhvillimin e thellë të lidhjeve dypalëshe.

Duke folur për bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar ndërmjet Kroacisë dhe Kinës, ai përmendi Urën e Peljesacit, projekti më i madh infrastrukturor në Kroaci i ndërmarrë nga një konsorcium kinez, si një shembull shumë i mirë i bashkëpunimit të suksesshëm me Kroacinë dhe Kinën.

Duke kujtuar vizitat e tij të shumta në Kinë, ai e quajti zhvillimin ekonomik të Kinës një mrekulli.

“Kina është shumë e suksesshme jo vetëm në ekonomi, por edhe në kulturë, shkencë, sport etj. Jam plotësisht i sigurt se Kina do të vazhdojë këtë zhvillim të jashtëzakonshëm dhe i uroj gjithë të mirat Kinës dhe miqve kinezë”,- tha ai. (Irma)