Agroturizmi, modele inovative me ndikim në ekonomi
2022-10-15 10:47:50

foto/ATSH

foto/ATSH

Agroturizmi po përjeton një rritje të shpejtë, ku tashmë Shoqata e Agroturizmit e sapokrijuar ka 71 anëtarë dhe parashikon rritje.

Sipërmarrjet në agroturizmet ia kanë dalë të amortizojnë disi efektet e rritjes së kostove, falë ciklit të prodhimit të produkteve në fermat e tyre apo pasurimit të ofertës me dimensione të reja.

Gjithsesi edhe pse ky sektor po shkon drejt konsolidimit, operatorët shprehen se ka ende shumë punë për të mbështetur sipërmarrjet agroturistike, që konsiderohet si katalizator i fshatit dhe bujqësisë, shkruan “ATSH”.

Ekspertët e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me ata të huaj diskutuan me Shoqatën e Agroturizmit për planifikimin e fazën e dytë të projektit për “Zhvillimin e qëndrueshëm rural”, që fillon në janar 2023.

Ndalesa e parë ishte në Kolonjë me agroturizmet e Kolonjës, Korçës, Përmetit, Tepelenës, Pogradecit, Këlcyrës, Beratit, etj, dhe ndalesa e dytë në Lezhë me agroturizmet e Mirditës, Lezhës, Malësi e Madhe, Pukë etj.

Disa nga çështjet që u trajtuan me sektorin privat të agroturizmit ishin kthimi i sfidave dhe problematikave në ide konkrete, cilët janë aktorët që duhet të përfshihen dhe si mund të kontribuojë gjithsecili.

Gjithashtu bashkë me aktorët e linjës, u zgjodhën dhe modelet inovative me ndikim në ekonomi dhe sektor me potencial përshkallëzimi në të gjithë territorin. (Irma)