CMG-ja: ShBA-ja duhet të mësojë nga dështimi i "luftës tregtare" kundër Kinës
2022-10-14 10:25:09

"Tarifat ndëshkuese ndaj Kinës kanë dështuar nga ana ekonomike, politike dhe ligjore", thuhet në një artikull të botuar në gazetën amerikane "The Hill". Ky rezultat ishte i destinuar që nga fillimi dhe u vërtetua në katër vjetët në vijim me dëshmi të shumta, vëren Grupi Mediatik i Kinës në një koment.

Foto:VCG

Foto:VCG

Në marsin e vitit 2018, administrata e presidentit të atëhershëm Donald Trump nisi luftën tregtare kundër Kinës, duke ngritur tarifat për 360 miliardë mallra kineze të importuara në ShBA. Administrata e tanishme amerikane, pas marrjes së detyrës në janarin e vitit 2021, ka vijuar politikat doganore të paraardhëses së vet. "Por faktet kanë treguar se kjo luftë është si të ngresh një gur që të bie ty vetë fort në këmbë, duke  të shkaktuar lëndime të rënda," komentoi Grupi Mediatik i Kinës.

Të dhënat ekonomike janë pasqyrim i drejtpërdrejtë i një gjëje të tillë, vijon më tej komenti. Trump-i deklaroi që ngritja e tarifave synonte uljen e deficitit tregtar, nxitjen e kthimit të sektorit të prodhimit e shtimin e vendeve të punës, duke theksuar që tarifat e shtuara do të përballoheshin nga pala kineze. Por studimet nga kompania e vlerësimit "Moody’s" treguan se barra e mbi 90 % të tarifave të shtuara në luftën tregtare është mbajtur prej ShBA-së. Agjencia e lajmeve "Bloomberg" analizoi se ngritja e tarifave ndaj mallrave të importuara nga Kina i ka ngritur kostot e konsumatorëve dhe të ndërmarrjeve amerikane dhe nuk ka ndihmuar në rimëkëmbjen e sektorit të prodhimit.
Jo vetëm kaq, por statistikat e publikuara nga Departamenti amerikan i Thesarit treguan se vjet deficiti tregtar i ShBA-së me Kinën u rrit 14.5 %, duke arritur në 355.3 miliardë dollarë amerikanë, një rekord i ri që nga viti 2018. Studimet përkatëse tregojnë se lufta tregtare kundër Kinës u ka sjellë ndërmarrjeve amerikane 1.7 trilionë dollarë amerikanë humbje dhe pakësimin e gati 250 mijë vende pune, duke rritur shpenzimet e çdo familjeje amerikane mesatarisht me gati 1300 dollarë në vit.

Foto:VCG

Foto:VCG

Porti Ningbo, provincë Zhejiang, Kinë(Foto:VCG)

Porti Ningbo, provincë Zhejiang, Kinë(Foto:VCG)

Edhe për sa i përket anës ligjore, veprimi i palës amerikane ka ngritur dyshime të shumta. ShBA-ja iu referua Nenit 301 të Ligjit të vet të Tregtisë të vitit 1974, sipas të cilit Përfaqësuesi Tregtar i ShBA-së mund të zhvillojë hetime ndaj vendeve të tjera dhe t'i sugjerojë presidentit të vendit të zbatojë sanksione të njëanshme. Një ligj i tillë ka dëmtuar rëndë bazën e multilateralizmit të OBT-së dhe është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare.

“Nga dështimi i luftës tregtare, politikanët amerikanë duhet të nxjerrin mësimet e duhura. Së pari, nuk mund të dalësh kundër ligjeve ekonomike dhe të tregut. Deficiti tregtar ndërmjet Kinës e ShBA-së është rezultat i pashmangshëm i ndryshimeve në strukturën ekonomike, epërsitë e zhvillimit dhe ndarjen ndërkombëtare të punës. Në gjysmën e parë të këtij viti, vëllimi i tregtisë Kinë-ShBA u shtua 12.7 % dhe investimet reale amerikane në Kinë u rritën 26.1 %. E dyta, 'korrektesa politike' nuk mund të zgjidhë problemet e ShBA-së. Nën presionin e inflacionit të paparë në katër dekadat e fundit, administrata e Biden-it prapë nuk veproi siç deklaroi për heqjen e tarifave të shtuara. Analistët e 'Financial Times'-it vunë në dukje se arsyeja për këtë është që Biden-i nuk dëshiron të duket ‘i dobët’ ndaj Kinës para zgjedhjeve të mesit të mandatit. E treta dhe më e rëndësishmja është që ShBA-ja duhet të mbajë një qëndrim të drejtë ndaj zhvillimit të Kinës. Pala kineze e ka theksuar shumë herë se qëllimi i zhvillimit të saj nuk është për ta zëvendësuar ose tejkaluar pozicionin e ShBA-së në botë, por për një jetë më të mirë të popullit kinez. Kina nuk do të bëhet një tjetër ShBA, kurse ShBA-ja nuk mund ta ndryshojë Kinën sipas dëshirës së vet. Vetëm bashkëjetesa paqësore, respekti i ndërsjellë dhe bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta janë mënyra e drejtë e trajtimit të këtyre marrëdhënieve,” thuhet në komentin e CMG-së.(Zhang Yan/Artan)