Lulet e vendosura para shkollës Robb ku ndodhi sulmi me armë zjarr që shkaktoi 21 viktima, 28 maj 2022, Texas, ShBA(Foto:VCG)
Agjencia amerikane e lajmeve AP njoftoi ditët e fundit se, me fillimin e vitit të ri shkollor në ShBA, mjaft nxënës kanë shqetësime më të mëdha se bërja e detyrave. Kërkesa për libra për fëmijë që merren me ngjarje traumatike, si të shtënat me armë në shkollë, kanë ardhur duke u rritur.
Shitjet e librave për lexuesit e rinj mbi dhunën, dhimbjen dhe emocionet janë rritur për nëntë vjet radhas, me gati gjashtë milionë kopje të shitura vjet, më tepër se dyfishin krahasuar me 2012-n, sipas "NPD BookScan", e cila ndjek shitjet me pakicë të librave në ShBA.
Ndërsa nivelet e ankthit dhe depresionit te të rinjtë amerikanë janë rritur, edukatorët theksojnë se librat për fëmijë mund t'i ndihmojnë ata të përballen me këto probleme.
Disa fëmijë përjetojnë dhunë armësh në përqindje të larta alarmuese, veçanërisht në lagjet e banorëve me ngjyrë.
Është e rëndësishme për këta fëmijë të fillojmë që herët trajtimin e efekteve, u shpreh Ian Ellis James, shkrimtar për programin edukues televiziv "Rruga 'Sesame'" dhe fitues i çmimit "Emmy". Ai tha se fëmijët e vegjël në zonat e prekura nga dhuna me armë janë më të ndërgjegjshëm për këtë sesa mendojnë prindërit e tyre.
“Ata e dinë për lulet, qirinjtë dhe kartat në rrugë; ata ecin pranë tyre çdo ditë,” tha ai.
“Në këtë vend nuk duan të heqin dorë as nga armët sulmuese. Prandaj duhet të ndërhyjmë dhe t’i ndihmojmë ata të shpëtojnë vetveten. Ne vërtet po dështojmë në këtë gjë,”theksoi James.