Shqipëri-UNICEF, bashkëpunim për mbështetjen e projekt-propozimeve nga organizatat rinore
2022-10-13 14:53:52

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, nënshkroi memorandumin e bashkëpunimit me UNICEF Albania, për mbështetjen e projekt-propozimeve nga organizatat rinore dhe/ose për të rinjtë në Thirrjen e Dytë të shpallur nga Agjencia Kombëtare e Rinisë.

Përmes një njoftimi zyrtar, ministrja Muzhaqi deklaron se ky bashkëpunim vjen pas rimodelimit të mekanizmave për financimin e projektet-propozimeve rinore, duke afruar një nga praktikat më të suksesshme të Bashkimit Evropian (BE) për mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile, metodologjisë LOD (qasja metodologjike për alokimin transparent të fondeve publike për organizatat e shoqërisë civile), si dhe duke rritur transparencën për donatorët e huaj.

“Këtë vit fondi për organizata rinore/për të rinjtë është dyfishuar me 58 milionë lekë, por lajmi tjetër i mirë është që mundësitë e mbështetjes së projekteve në këtë thirrje, rriten akoma më shumë falë financimit nga UNICEF Albania”,- thuhet në njoftimin e ministres.

Sipas saj, të rinjtë do të bëhen pjesë e Komisionit të Vlerësimit të projekt-propozimeve në Thirrjen II, duke e rritur akoma më shume nivelin e transparencës, paanshmërisë dhe profesionalizmit në shqyrtimin e çdo projekt-propozimi. (Elona)