Raporti i KE-së për Shqipërinë: Korrupsioni, shqetësim serioz
2022-10-13 15:14:20

Flamujt e BE-se (Foto Rtsh)

Flamujt e BE-se (Foto Rtsh)

Komisioni Europian vlerëson ecurinë e Shqipërisë në rrugën e reformave që lidhen me procesin e integrimit, duke theksuar se ajo duhet të përparojë më tej se bashku me opozitën dhe shoqërinë civile.  

Në projekt-raportin e publikuar nga KE-ja theksohet se korrupsioni në Shqipëri vijon të konsiderohet një shqetësim serioz, përcjell “RTSH”.  

Nismat e paralajmëruara nga Shqipëria, si amnistia fiskale dhe të ashtuquajturat “pasaporta të arta”, për KE-në bien ndesh me normat e Bashkimit Europian.  

Një fushë ku shprehimisht shkruhet se nuk është bërë përparim, është ajo e lirisë së shprehjes.  

Qeveria shqiptare vlerësohet se mbajti fokusin në reformat që lidhen me rrugën e vendit drejt BE-së dhe përforcoi strukturën e saj koordinuese për integrimin në BE, ndërsa kritikohet për krijimin e disa agjencive qeveritare në varësi të Kryeministrisë, pa një kornizë gjithëpërfshirëse drejtuese dhe pa një vëmendje sistematike ndaj linjave të mbikëqyrjes dhe raportimit, gjë që sipas KE-së ngre pikëpyetje mbi standardet e administratës publike.  

Sistemi gjyqësor i Shqipërisë, sipas Komisionit Europian, ka arritur një shkallë përgatitjeje të moderuar dhe Reforma në Drejtësi konsiderohet të ketë pasur një përparim përgjithësisht të mirë.  

Sa i takon luftës kundër korrupsionit, Shqipëria rezulton të ketë njëfarë shkalle përgatitjeje. Ndërsa vlerësohet se ka pasur rezultate, raporti nënvizon se mbetet i nevojshëm një vullnet më i madh politik, përpjekje të mëtejshme të strukturuara, dhe burime e aftësi të përshtatshme.  

Në të njëjtin nivel konsiderohet të jetë edhe lufta kundër krimit të organizuar, ku vihet re njëfarë përparimi në përmbushjen e rekomandimeve të vitit të kaluar. Raporti thekson se bashkëpunimi i fortë dhe i frytshëm me shtetet anëtare të BE-së, Europol-in dhe Eurojust-in ka çuar në rezultate të prekshme.  

Shqipëria vlerësohet pozitivisht për politikën e saj të jashtme të linjëzuar me atë të Bashkimit Europian, si dhe për rolin në rajon. Me nota pozitive përshkruhet dhe nisma “Ballkani i hapur”, e nxitur nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. (Elona)