Banka qendrore: Kompanitë italiane, të goditura nga kostot e larta të energjisë
2022-10-12 16:45:35

Italia (Foto Xinhua)

Italia (Foto Xinhua)

Banka Qendrore e Italisë në një sondazh të fundit zbuloi se inflacioni i lartë, i cili ka dëmtuar perspektivën ekonomike të vendit në muajt e fundit dhe pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen, ka ndikuar në uljen e besimit mes bizneseve në vend. Banka anketoi kompanitë italiane në sektorin industrial dhe atë të shërbimeve me të paktën 50 punonjës, midis 25 gushtit dhe 15 shtatorit.

Sipas të dhënave, situata e përgjithshme ekonomike është përkeqësuar në tremujorin e tretë dhe ka pasur pesimizëm për perspektivën e kompanive në tre muajt e fundit të vitit, bën të ditur “Xinhua”.

Kjo pasqyroi pasigurinë që u atribuohet faktorëve ekonomikë dhe politikë dhe tendencën rritëse të çmimeve të mallrave, që do të thotë rritje të çmimeve të energjisë për shkak të konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës. Një e treta e kompanive të anketuara thanë se vështirësitë në lidhje me rritjen e kostove të energjisë ishin përkeqësuar në tre muajt e mëparshëm, duke shkaktuar një rishikim në rënie në planet e tyre të investimeve për pjesën e mbetur të vitit.

Ndërkohë, pritjet e kompanive për inflacionin konsumator gjithashtu u përkeqësuan, bëri të ditur Banka e Italisë. Instituti Kombëtar i Statistikave të Italisë raportoi javën e kaluar se inflacioni në shtator kishte arritur një rekord prej 8.9 për qind.

Megjithëse ky nivel pritet të bjerë, sipas Bankës së Italisë, bizneset presin që norma e përgjithshme e inflacionit të qëndrojë mbi 6 për qind për vitin e ardhshëm dhe rreth 5 për qind për të paktën dy vjet. (Elona)