Kancelari gjerman kundërshton teorinë e “shkëputjes nga Kina”
2022-10-12 16:09:23

Foto: VCG

Kancelari gjerman Olaf Scholz ritheksoi të martën rëndësinë e globalizimit për realizimin e begatisë dhe kundërshtoi shkëputjen nga vende të caktuara, duke përfshirë Kinën.

Duke folur në Samitin e 13-të Gjerman të Inxhinierisë Mekanike në Berlin, Scholz vuri në dukje që, përveç krijimit të marrëdhënieve tregtare më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme me Bashkimin Evropian, Gjermania duhet të zhvillojë tregti me vendet në zhvillim në Azi, Afrikë e Amerikën Latine, duke përfshirë Kinën, në vend që të shkëputet prej tyre.

Komisioneri i BE-së për Tregtinë Valdis Dombrovskis u bëri jehonë pikëpamjeve të kreut të qeverisë gjermane. "Shkëputja nga Kina nuk është një alternativë për kompanitë në BE," tha ai, duke e quajtur Kinën një treg të rëndësishëm rritjeje dhe një burim të vlefshëm investimesh të përballueshme.

"BE-ja duhet të vazhdojë marrëdhëniet me Kinën me pragmatizëm dhe pa naivitet. Marrëdhënia jonë tregtare ka nevojë për më shumë ekuilibër e reciprocitet," theksoi Dombrovskis.

Prodhuesit gjermanë të makinerive duan gjithashtu të mbajnë lidhje të ngushta tregtare me Kinën. Kjo industri është shumë e varur nga tregtia e jashtme, me eksportet që përbëjnë rreth 80 për qind të vëllimit tregtar të saj. Në gusht, porositë e huaja për industrinë gjermane të makinerive u rritën me 2 % krahasuar me korrikun, ndërsa porositë e brendshme ranë me 6 %.(Çang Çuo)