Ministritë në Tiranë do të pajisen me panele diellore
2022-10-11 16:48:11

Në tarracat e kryeministrisë dhe ministrive do të instalohen panele fotovoltaike. Këshilli i Ministrave ka autorizuar Fondin Shqiptar të Zhvillimit, si organ qendror blerës dhe njësi zbatuese, për kryerjen e procedurës së prokurimit publik si dhe kryerjen e proceduarave për marrjen e lejeve përkatëse.

Efektet financiare që vijnë nga ky vendim do të përballohen nga buxheti i miratuar për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, për vitin 2022, bëjnë të ditur mediet shqiptare.

Kjo masë vjen pas aktit normativ të miratuar nga qeveria javën e kaluar, sipas të cilit çdo institucion shtetëror do të duhet të ulë konsumin e energjisë elektrike me 15%, krahasuar me një vit më parë.

Reduktimi i faturave të energjisë elektrike do të ndikojë edhe në uljen e borxheve, që institucionet shtetërore kanë ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Sipas të dhënave të fundit të raportuara nga Enti Rregullator i Energjisë, në fund të muajit gusht borxhi i kësaj kategorie konsumatorësh arriti në gati 5 mld lekë, duke vijuar tendencën në rritje që nga viti 2015.

Kjo është vlera më e lartë e borxheve e akumuluar ndonjëherë nga institucionet shtetërore, të paktën që prej vitit 2009, kur faturat e papaguara të energjisë arrinin në 988 milionë lekë apo rreth 5-fish më pak. (Fatosi)