Kompanitë kineze të automjeteve me energji të re përcjellin risi në Gjermani
2022-10-10 15:54:55

Kompanitë kineze të automjeteve me energji të re, duke përfshirë prodhuesit e baterive dhe makinave, po hyjnë në Gjermani me risi, deklaroi një ekspert gjerman i makinave.

Ferdinand Dudenhoeffer, drejtor i “CAR Center Automotive Research Duisburg”, tha se prodhuesit kryesorë të baterive në Kinë po ndërtojnë tani fabrika të qelizave të baterive me investime të mëdha në Gjermani, duke sjellë kështu teknologjinë në vend.

“Kina po ndihmon kështu Gjermaninë që të zbatojë më shpejt strategjitë miqësore me klimën”,- tha Dudenhoeffer për “Xinhua”.

Qeveria gjermane synon të ketë 15 milionë makina elektrike të pastra në rrugë deri në vitin 2030.

Sipas tij, prodhuesit e makinave si “NIO” apo “BYD” sollën produktet dhe shërbimet e tyre në Evropë.

Në një event vjetor në Berlin, “NIO” zbuloi tre modele të reja që rrjedhin nga platforma e saj NIO NT2, ET7, EL7 dhe ET5, për klientët në Gjermani, Holandë, Danimarkë dhe Suedi. Vitin e kaluar, ajo kishte hyrë tashmë në tregun norvegjez.

“Është mirë për shkëmbimin e ndërsjellë midis Gjermanisë dhe Kinës që ne të bashkëpunojmë me kompanitë kineze të energjisë së re të drejtuar nga teknologjia. Ne gjermanët mësojmë se sa e avancuar është teknologjia kineze dhe kjo inkurajon shkëmbimin e mëtejshëm”,- tha Dudenhoeffer. (Fatosi)