Përfundon në Tiranë “Tirana Gate 2022”, aktiviteti ndërkombëtar i librit
2022-10-10 10:24:42

Autorë e shkrimtarë nga Ballkani dhe Europa u mblodhën për tre ditë në Tiranë, në edicionin e dytë të aktivitetit “Tirana Gate 2022”. Ky festival është konsideruar si një portë e hapur për shkrimtarët ballkanikë dhe europianë, të cilët mundën të diskutonin me lexuesin shqiptar, por edhe shkrimtarin shqipar, duke dialoguar për letërsinë bashkëkohore dhe problematikat që has letërsia kudo, në Shqipëri, Ballkan e më gjerë. Aktivitetet e zhvilluara në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar ndërtuan një klimë mjaft të mirë bashkëbisedimesh, takimesh dhe njohjesh mes shkrimtarëve të rinj e të vjetër.

Tirana Gate 2022 - foto Tirana European Youth Capital 2022

Tirana Gate 2022 - foto Tirana European Youth Capital 2022

Tema e edicionit të këtij viti ishte “Fqinjët”, një temë që fokusohej tek letërsia dhe kultura në rajonin tonë, tek letërsia që bëhet këtu, për të diskutuar për të gjitha ato problematika që ndeshi letërsia gjatë këtij shekulli, për kulturën, paanshmërinë dhe bashkëjetesën. Nëse vitin e shkuar tematikë e aktivitetit, ishte “Libri si pasaportë europiane” dhe në kryeqytet mbërritën disa nga autorët fitues të Çmimit Europian për Letërsinë, tema e këtij viti ishte “Fqinjët”, një temë që bën të mundur kapërcimin e diferencave sidomos këtu në Ballkan, për të bërë të kuptueshme se identiteti kulturor mund edhe të mos na përqajë. Në këtë mënyrë, gjatë këtij edicioni, letërsia, libri erdhi jo si një pasaportë europiane, por si një mundësi shumë e mirë për të thënë se mund të bashkëjetojmë përtej diferencave dhe se kultura mund të ndërtojë ura dhe jo mure ndarëse ndaj kulturave të ndryshme.

Ky Festival erdhi si një projekt i realizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit në kuadër të projektit rajonal READ (Rrjeti Rajonal për Dialog Ndërkulturor) i mbështetur nga Bashkimi Europian. Në kuadër të këtij aktiviteti, kryeqyteti ynë, Tirana, mirëpriti autorë të mirënjohur të Ballkanit, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Shqipëria dhe autorë nga Turqia, që në labirinthin e një paraleleje mes historisë personale dhe asaj kombëtare rrëfyen histori shtetesh dhe qytetesh, histori qytetërimesh dhe jetësh individuale.

Tirana gate 2022 - Foto nga Instituti i Librit dhe i pro,ocionit

Tirana gate 2022 - Foto nga Instituti i Librit dhe i pro,ocionit

Gjithashtu pjesë e Festivalit u bënë edhe autorë europianë si nga Sllovenia, Bullgaria, Greqia, Rumania, fitues të çmimit prestigjioz ndërkombëtar Çmimi Europian i Letërsisë (EUPL), ku edhe Shqipëria bën pjesë me 3 autorë të saj.

Festivali pati një program të ngjeshur, që u dha mundësi të gjithëve që të ndjekin autorin e dashur, shqiptar, apo fqinj. Disa nga autorët pjesëmarrës janë të përkthyer në shqip dhe lexuesi, nëse nuk i kishte njohur më përpara, pati një arsye më shumë për t’i njohur dhe zbuluar përmes festivalit. Kështu në shqip janë të përkthyer autorë, si: Madzirov, Velikic, Bajac, Kalpuzos, Reka Man- Varhegy, Jančar, Terziyski, Ayfun Tunc, etj., të përkthyer mjeshtërisht nga punëtorët e palodhur të hapësirës ballkanike, si: Ben Andoni, Nikollë Berisha, Kristo Pulla, Maniela Sota, Milena Selimi, etj., të cilët bënë të mundur njohjen e një letërsie tjetër, të një autori tjetër. Nga një gjuhë në tjetrën. Nga një kulturë në tjetrën.

Veçantia e këtij festivali qëndron në faktin se secili autor foli, diskutoi dhe lexoi në gjuhën e tij, pra u dëgjua në shqip, turqisht, greqisht, bullgarisht, maqedonisht, etj. Autori më i ri i festivalit ishte 26-vjeçari Azem Deliu dhe autori më në moshë, Drago Jančar, 73-vjeçar. Aktivitetet që nisën me datë 5 dhe përfunduan me 7 tetor, pasuan njëri – tjetrin mes një klime shumë të ngrohtë. Nata e parë nisi me një panel të përbërë nga shkrimtarët Drago Jançar (Slloveni), Anna Kove (Shqipëri) dhe Ylljet Aliçka (Shqipëri).

Tirana gate 2022 - foto KultPlus

Tirana gate 2022 - foto KultPlus

Gjatë tre netëve të festivalit u diskutuan tema të tilla, si: Vendlindja dhe refuzimi kulturor; Ballkani perëndimor: A e përcakton e kaluara të ardhmen?;Labirinthi i kohës; Gjuha e Atdheut brenda Atdheut; Harresa si process i përtëritjes/Kujtesa si pasqyrë e ndërgjegjies; Koha – si rrjedh në letërsi nga kultura e një populli në një tjetër; Fjala lind përmes heshjes; Fjalë dhe luftë; etj. Për t’u përmbyllur me “Nata Ballkanike Found inTranslation”, nata e fundit e aktivitetit, që erdhi plot me çaste poetike, momente që të mbeten në mendje, situata gazmore dhe libra që të bëjnë për vete.

Festivali “Tirana gate 2022”, në fakt ka nisur para tetë vitesh si një festival kushtuar të rinjve. Para tetë vitesh, për herë të parë publiku , në sajë të këtij festivali i njohu ata si krijues. Sot pas tetë vitesh, nuk janë më emra të panjohur, por janë emra të konfirmuar në letërsi. Ndërkaq, prej dy vitesh festivali tenton të ndërkombëtarizohet duke iu drejtuar tematikave të rëndësishme të integrimit dhe fqinjësisë. Ky është një festival unik, që nuk ka si qëllim të shesë libra, por të bashkërendojë vlera. Festivali operon me një skenë, ku panele të ndryshme autorësh, ngjiten për të folur dhe diskutuar mbi çështje të ndryshme dhe ndërkaq vijohet me seanca të leximit, ku autorët lexojnë veprat e tyre, në poezi apo prozë.

Neritana Kraja