Ibrahimaj: Ekonomia shqiptare, rritje 4.17 % në gjysmën e parë të vitit
2022-10-10 10:06:56

Ekonomia shqiptare ka performuar pozitivisht në gjymën e parë të vitit 2022. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj ka bërë raportimin mujor të treguesve ekonomike ku është ndalur tek të dhëna të ndryshme sa i takon  tregtisë, të ardhurave dhe performancës së sektorëve.

Sektori i ndertimit (Foto R&T Group)

Sektori i ndertimit (Foto R&T Group)

“ INSTAT publikoi prodhimin e brendshëm bruto dhe rezultatet e rritjes ekonomike për tremujorin e dytë të vitit. Rritja ekonomike në tremujorin e dytë rezultoi me një rritje 2.23% në krahasim me tremujorin e dytë të një viti më parë. Rritja ishte e ngadalësuar në krahasim me tremujorin e pare, e cila rezultoi 6.5%. Në nivel gjashtëmujor Shqipëria është rritur me 4.17%, ndërkohë që Ministria e Financave dhe Ekonomisë vijon të ruajë parashikimin për rritjen e vitit 2022 në nivein 3.2%. Rreziqet rreth këtij qarkullimi janë në kahun e sipërm që do të thotë se ne presim që rritja të mund të jetë mbi 3.2%. Sa i takon krahasimit me vendet e rajonit Shqipëria, në gjashtëmujor u rrit me 4.17%, ndërsa vende të tjera të rajonit si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia rezultuan me një rritje më të ulët në nivel gjashtëmujor, ndërsa Mali i Zi është i vetmi vend i rajonit, i cili ka pasur një rritje prej 9.64% pra më të lartë”-shprehet ministrja Ibrahimaj.

Sa i përket tremujorit të tretë të vitit, Ibrahimaj shprehu besimin për një ecuri pozitive të ekonomisë, referuar të dhënave të deritanishme të aktivitetit ekonomik, e sidomos të ndikimit që pritet të ketë sektori i turizmit.

Delina Ibrahimaj (Foto Ministria e financave ekonomise)

Delina Ibrahimaj (Foto Ministria e financave ekonomise)

“Ne kemi bërë një analizë për të kuptuar sesi çdo ekonomi i ka përthithur efektet e krizave që kemi përjetuar gjatë këtyre viteve. Nëse ne do të shohim krahasimin me vitin 2019 shohim që aktiviteti ekonomik në vend është rritur për 6-mujorin e parë në nivelin 7.75%, ndërkohë që vende të tjera si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi ende nuk i kanë absorbuar efektet e krizës së pandemisë, por dhe fillimet e krizës në të cilën po jetojmë aktualisht. Serbia është i vetmi vend pas Shqipërisë që ka pasur një rritje të ndjeshme më të lartë sesa viti 2019. Nëse do të bëjmë një analizë sa i takon ofertës agregate, pra shpërndarjes së prodhimit të brendshëm bruto sipas sektorëve, ne shohim që në tremujorin e dytë të vitit, kontributin kryesor në rritjen ekonomike e ka pasur dega e tregtisë, transportit, akomodim dhe shërbim ushqimor, që në rritjen prej 2.23% ka kontribuar me 1.68 pikë përqindje, ndërkohë në krahasim me vitin e kaluar kjo degë është rritur 11.42%, theksoi ministrja Ibrahimaj.

Edhe bujqësia ka performuar pozitivisht, sipas ministres.

“Gjithashtu me kontribut pozitiv të ndjeshëm në rritje ka qenë aktiviteti i pasurive të paluajtshme që ka pasur një kontribut me 0.65%, duke u rritur me 11.38% në krahasim me vitin e kaluar dhe dega e bujqësisë e cila ka pasur një kontribut në rritje prej 0.31 pikë përqindje. Ndërkohë kontribut negativ në tremujorin e dytë kanë pasur sektori i ndërtimit, duke dhënë një kontribut me 0.49 pikë përqindje negativ dhe industria nxjerrëse dhe përpunuese e lidhur me sektorin energjitik, por edhe atë të hidrokarbureve ka dhënë një kontribut negativ me 0.46 pikë përqindje”, ka nënvizuar ministrja Ibrahimaj.

Të ardhurat në buxhetin e shtetit për periudhën janar-gusht kanë arritur nivelin 376 miliard Lekë ose 15.9% më shumë se një vit më parë. Ministrja theksoi faktin se ecuria pozitive e të ardhurave është e lidhur ngushtësisht me çmimet por dhe me aktivitetin ekonomik në vend. Ndërkohë, sa i takon shpenzimeve të përgjithshme për periudhën 8 mujore, ato janë 1.4% më shumë sa vitin e kaluar, një realizim i planit në masën 96.6%.

“Sa i takon metodës së shpenzimeve, situata reflekton situatën aktuale që ne kemi jetuar, por edhe politikat që Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe qeveria kanë ndërmarrë gjatë tremujorit të dytë. Konsumi final i popullatës i cili përbën rreth 70% të prodhimit të brendshëm bruto në vend u rrit me 8.95% në tremujorin e dytë të vitit 2022 në krahasim me të njëjtin tremujor një vit më parë. Sigurisht që konsumi i popullatës është reflektim i politikave që qeveria ka ndjekur gjatë tremujorit të dytë. Unë dua t’ju rikujtoj që në tremujorin e dytë ne vendosëm që të subvencionojmë të gjitha kategoritë e individëve të cilët nuk mund të përballonin rritjen e cmimeve, normat e rritura të cmimeve, pra të inflacionit, ne vendosëm që t’i subvencionojmë pikërisht me diferencën e rritjes së cmimeve me qëllim që konsumi të mbahej në nivele të larta dhe në fakt kështu rezultoi”, u shpreh ministrja.

Rritja ekonomike (Foto alb info)

Rritja ekonomike (Foto alb info)

Pritshmëritë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë janë për një rritje pozitive të ekonomisë për vitin 2022 dhe një rritje pozitive në vitin 2022. Sa i takon konsumit ai ka rezultuar në rënie për administratën publike.

“Sa i përket konsumit të administratës publike ai rezultoi me rënie, gjithashtu duke refllektuar politikat e qeverisë, e cila vendosi që të shkurtojë ato shpenzime të cilat janë jo prioritare dhe që mund të shtyheshin për vitin e ardhshëm. Në të njëjtën linjë formimi bruto i kapitalit fiks, ose përafruesi më i mirë i investimeve rezultoi me rënie në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë në nivelin 6.69%, duke reflektuar ngadalësimin e sektorit të ndërtimit që edhe sipas analizës së ofertës rezultoi me ngadalësim”, vuri  në dukje ministrja.

Sa i takon treguesve të  tregtisë së jashtme, ministrja tha se kemi pasur një rritje të importeve dhe eksporteve në vlerë. Importet janë rritur me 25% ndërsa nëse do të shohim vëllimet kemi pasur një rënie me 8%. Kontributin kryesor negativ në rënien e vëllimit të importeve e kanë pasur produktet e hidrokarbureve dhe produktet e lidhura me produktet kimike dhe plastike, të cilat kanë patur një rritje potenciale në tregjet ndërkombëtare. Ecurinë pozitive në prodhimin vendas e tregojnë shifrat e exporteve të cilat në vlerë kanë pasur një rritje me 41% ndërkohë që në vëllim kanë patur një rënie me 6%. Sipas ministres  Ibrahimaj rënia e vëllimit lidhet me materialet dhe lëndët djegëse dhe energjinë elektrike të cilat kanë patur ulje të kërkesës për shkak të çmimeve shumë të larta.