Drejtori i pergjithshem i Bankers Petroleum Albania, Huanqin Xiao (Foto Monitor)
Performanca në Shqipëri e kompanisë kineze të naftës “Bankers Petroleum Albania” ka qenë pozitive në vitin 2021, deklaroi në një intervistë për “Monitor” drejtori i përgjithshëm i “Bankers Petroleum Albania”, Huanqin Xiao.
Sipas tij, në vitin 2021, prodhimi i naftës ishte 610.000 tonë. “Kjo situatë na lejon të rifillojmë aktivitetin e shpimit në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës. Ne planifikojmë të shpojmë mbi 25 puse të reja nafte (përfshirë dy puse termale) në fushën e naftës gjatë këtij viti dhe jemi shumë optimistë se jemi në gjendje të ngadalësojmë rënien e përgjithshme të prodhimit”,- tha Huanqin.
Krahas shpimit të puseve të reja horizontale firma ka hartuar edhe strategjinë e re për të prodhuar me teknologji të avancuara, si metoda termike, e cila rrit energjinë në shtresa dhe shtyn më shumë naftë në sipërfaqe.
Investimet për rritjen e efikasitetit të operacioneve do të vazhdojnë gjatë gjithë këtij viti. Projekte të tjera të rëndësishme që do të pasojnë janë: shtimi i njësive të trajtimit të naftës dhe pajisjeve të trajtimit të ujit, procese që janë të rëndësishëm në operacionet hidrokarbure. (Fatosi)