Shefi i OKB-së shpreh keqardhjen për masakrën në Tajlandë
2022-10-08 13:59:29

 Ceremoni përkujtimore në Tajlandë(Foto:VCG)

Ceremoni përkujtimore në Tajlandë(Foto:VCG)

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres është i tronditur dhe i pikëlluar nga të shtënat masive në një strukturë të kujdesit për fëmijët në verilindje të Tajlandës, deklaroi zëdhënësi i tij Stephane Dujarric.

Ai theksoi se shefi i Kombeve të Bashkuara shpreh ngushëllimet e tij për familjet e viktimave të kësaj ngjarje të tmerrshme dhe u uron të lënduarve një shërim të shpejtë, bën të ditur “Xinhua”.

Të paktën 38 persona u vranë nga të shtënat masive në një qendër për kujdesin e fëmijëve në provincën Nong Bua Lamphu të Tajlandës verilindore të enjten, shumica prej tyre fëmijë, thanë autoritetet lokale.

Policia e identifikoi sulmuesin si një ish-oficer policie, i cili thuhet se vrau veten më pas.

Masakra solli reagime të forta nga agjenci të ndryshme të OKB-së.

UNICEF-i dënoi të gjitha format e dhunës ndaj fëmijëve, duke theksuar se asnjë fëmijë nuk duhet të jetë objektiv apo dëshmitar i dhunës kudo dhe në çdo kohë. Agjencia e OKB-së u bëri thirrje publikut dhe medias që të përmbahen nga postimi ose përcjellja e imazheve dhe videove në lidhje me incidentin, duke vënë në dukje kjo mund të ndikojë më tej negativisht te fëmijët, familjet e viktimave dhe të dashurit e tyre.

Organizata e OKB-së për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) gjithashtu shprehu ngushëllimet më të thella për familjet e viktimave, duke bërë të ditur se sulmet ndaj shkollave, nxënësve dhe arsimtarëve janë sulme ndaj të drejtave për arsimim. (Irma)